Sekuestrohen 90 kg heroinë në Rimini, shqiptarët pjesë e grupit kriminal

292

Foto: Ilustrim

Një organizatë kriminale trafikantësh droge është shkatërruar nga policia financiare e qytetit të Riminit. Sipas raportimit të Shekullit, pjesë e këtij grupi kriminal janë shtetas shqiptarë, italianë dhe rumunë.

Sipas mediave italiane, operacioni i koduar “100%” ka nisur hetimet në gusht të vitit 2013 e ka çuar në sekuestrimin e 10 kilogramë kokainë, 90 kg heroinë e 2 tonë hashash.

Gjithashtu në kuadër të këtij operacioni, policia italiane ka arrestuar16 persona dhe disa të tjerë janë vënë nën hetim

Policia italiane ka njoftuar se lënda narkotike trafikohej me anë të mjeteve lundruese përmes detit. Anëtarët e bandës komunikonin mes tyre me një gjuhë të koduar.

“Që në orët e para të mëngjesit të sotëm në të gjithë territorin italian po ekzekutohen urdhër-arreste e masa ndaluese ndaj personave anëtarë e bashkëpunëtorë me këtë organizatë kriminale”, ka sqaruar policia.

Ndërkohë deri më tani, anëtarëve të kësaj organizate kriminale i janë sekuestruar asete në vlerë 5 milionë euro.

Sipas mediave vendase, operacioni i “100%” i policisë financiare të Riminit është koordinuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Riminit dhe prokurorinë e qytetit të Bolonjës.

Comments