Shkurte Fejza: A kishim të drejtë edhe ne të jetonim në shtëpitë tona kur na përzunë, na dogjen dhe na vranë”?

86

Moebel THEMA

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Shkurete Fejza, në një prononcim për medie, duke folur lidhur me zhvillimet e djeshme në Mushtisht ka shkruar: Po, solidarizohem me bashkëfshatarët e mi, unë jam pjesë e tyre. Në Mushtisht serbët kanë vrarë familjarët tanë, kanë vrarë njerëz të pafajshëm, pleq dhe gra, kanë vrarë edhe njerëz të sëmurë, në shtrat, të palëvizshëm. Është djegur i gjithë fshati, janë bërë dëme të mëdha njerëzore dhe materiale.

Të gjitha këto krime i kanë kryer  forcat serbe por edhe serbët lokalë kanë marrë pjesë aktive në këto krime. Ne si familje kemi humbur shumë të dashur  tanë dhe shumica e Mushtishtasve i kemi përjetuar personalisht mizoritë e tyre. Tani, edhe pas 17 viteve, kemi njerëz të zhdukur. Kriminelët nuk janë dënuar dhe as nuk janë denoncuar. Çka kanë bërë institucionet tona për këta njerëz? Për më tepër  çdo vit provokohen qytetarët me do farë aksione për kthimin e serbëve, vizitat e tyre me polici, me forcë në emër të së drejtës për  pronat e tyre. Po ne shqiptarët a kishim të drejtë  të jetonim në shtëpitë tona kur na përzunë, kur na dogjën dhe na i vranë njerëzit para syve tanë. E deri sot as nuk u dënuan kriminelët, as  u gjetën të gjithë të vrarët por as iu kërkua falje qytetarëve të lënduar shpirtërisht, madje  sa për një ngushëllim që do të ishte një akt i civilizuar si në gjithë botën e qytetëruar. Kjo i bie se ne nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë të drejtë, ndërsa  ata paskan pasur  të drejtë të na vrasin, të na djegin, të na përzënë dhe tani prapë kanë të drejtë të vinë të krekosur me këngë e me zhurmë si triumfues.

Neve nuk na duhen pronat e tyre.

Të krijohen kushtet për kthimin e qytetarëve, le të kthehen shqiptarët ne Mitrovicën veriore,  të cilët kanë qenë viktima dhe nuk kanë bërë krime kundër fqinjëve të tyre.

Pse po bëhet eksperiment në mënyrë provokative me Mushtishtin?

Mushtishtasit janë të irrituar edhe ndaj institucioneve tona qe po iu premtojnë atyre çdo gjë, dhe po e dërgojnë policinë që t’i rrahin të gjithë ata që kundërshtojnë, ndërsa vet rrinë nëpër kabinete ose shkojnë në pushim në kohën kur i kanë ftuar serbët të vijnë në Mushtisht. Kjo është shumë e pandershme nga ana e politikës, ka shkruar në një reagim të saj, Shkurte Fejza-Behluli, e cila ka lindur dhe është rritur në fshatin Mushtisht të Therandës.

Comments