Shkyçja nga ngrohja, qytetarët e Shkupit të revoltuar (VIDEO)

284

1

Qytetarët e shkyçur nga ngrohja, por të cilët patjetër e kanë të paguajnë paushall, tanimë një vit e gjysmë po protestojnë. Çdo të shtune dalin para objektit të Komisionit rregullatorët për energjetikë. Kërkojnë ndryshimin e Ligjit dhe thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre. Ata refuzojnë t’i paguajnë faturat, por përmbaruesit u trokasin në derë.

“Nuk i paguajmë, na paditin me përmbarues. Na marrin paratë nga llogaritë. Ja unë iki, kam frikë të vijë në shtëpi postieri, nëse i bie ziles dikush, e di se është përmbaruesi, jetojmë në kaos, frikë, të shkyçurit nuk kanë kurrfarë ngrohje, është sajesë e mashtruesve të mëdhenj, por Qeveria e Nikola Gruevskit i mbështet”.

Një pjesë e banorëve thonë se kompania “Balkan Energy Group” në mënyrë joligjore ka arritur deri tek të dhënat e tyre personale, ku ua dërgon faturat.

“Të dhënat janë të vjedhura sepse unë “Balkan Energy Group” asnjëherë nuk ia kam dhënë, nuk kam marrëveshje me ta, kompania prej diku i ka marrë në mënyrë joligjore. Në rastin tim, ato nuk janë marrë as nga Ngrohtorja sepse asnjëherë nuk kam qenë atje”.

Por, një pjesë tjetër ankohen se edhe pse çmimi i ngrohjes qendrore është zvogëluar, megjithatë shuma paushall që duhet të paguajnë ata është rritur.

“Shkruan se çmimi për ngrohje qendrore është zvogëluar. Por, si ka mundësi kur unë deri më tani pagoja 510 denarë ndërsa fatura kësaj radhe është 622 denarë. Do të thotë, ata që përdorin kanë ulje ndërsa ne që nuk përdorim kemi rritje”, tha Zhivojno Trajkovski.

Nga Komisioni Regullator Energjetik vazhdimisht përsërisin se kjo është zgjidhje ligjore dhe se tani për tani nuk planifikojnë të ndryshojnë asgjë. Ndryshe, më shumë se 12 mijë qytetarë janë shkyçur nga ngrohja qendrore dhe tani paguajnë paushall. Në vitin 2009-të, Gjykata kushtetuese shfuqizoi këtë dispozitë me të cilën qytetarëve u imponohet të paguajnë edhe pse janë të shkyçur, por më pas u shpall si jokompetent për interpretimin e rregulloreve që e imponojnë këtë obligim./alsat-m

Comments