Sot takimi Erdogan- Putin, në fokus marrëdhëniet ekonomike mes dy shteteve

249

erdogan putin

Vizita e sotme e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në Rusi sipas pritjeve do të kontribuojë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe kthimin e marrëdhënieve tregtare në binarët e mëparshëm të shëndoshë, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi i sotëm do të jetë i pari mes tyre që nga koha e rrëzimit të avionit luftarak rus më 24 nëntor pasi shkeli hapësirën ajrore turke në kufirin turko-sirian. Vizita e sotme e Erdoğanit në Federatën Ruse do të jetë dalja e tij e parë nga shteti pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik.

Sipas të dhënave të Entit për Statistika të Turqisë, vëllimi tregtar mes të dy shteteve në periudhën gjashtëmujore të këtij viti është më i ulët për 35 për qind, respektivisht është ulur nga 13 miliardë në 8.5 miliardë dollarë.

Gjatë kësaj periudhe, numri i turistëve nga Rusia në Turqi është ulur për 87.4 për qind, respektivisht nga 1.454.618 në 183.828 persona.

Vizita e Erdoğanit në Rusi nuk do të jetë vetëm një hap politik pasi përfaqësuesit e biznesit nuk fshehin entuziazmin nga kjo vizitë.

Zëvendës presidenti i Këshillit Afarist për Marrëdhëniet Turko-Ruse në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Ekonomik Ndërkombëtar të Turqisë, (DEIK) Ali Galip Savasir tha se pret një takim shumë të frytshëm.

“E di që Rusia është përgatitur mirë për këtë takim. Do të jetë takim i një rëndësie të veçantë në aspekt të marrëdhënieve tregtare si dhe nga aspekti i qëndrimeve armiqësore mes popujve,” tha ai për të shtuar se nga zhvillimet e fundit kanë pësuar të dyja vendet.

– Hotelierët mbështesin shpresat te kjo vizitë

Presidenti i Këshillit për Turizëm në Odën Ekonomike të Turqisë (TOBB), Osman Ayik rikujtoi se marrëdhëniet e këqija më shumë kanë prekur turizmin i cili e ka pësuar më rëndë.

“Janë bërë përgatitjet. Një delegacion rus të enjten e kaluar qëndroi në Stamboll ndërsa të premten në Antalya. E dimë që vizitat shkuan mirë”, tha ai, dukë rikujtuar se pas rrëzimit të avionit, Rusia ndaloi të gjitha fluturimet çarter për në Turqi.

“Parashikimet tona janë që normalizimi i marrëdhënieve të na sjellë në javët e ardhshme mbi 500.000 turistë rusë”, tha ai.

Edhe opinioni rus ka pritje të mëdha nga ky takimi i sotëm i presidenteve të të dyja vendeve. Ekspertët e atjeshëm rikujtuan se ky është takimi i parë ballë për ballë pas 24 nëntorit.

Analisti politik njëherësh kryetar i kompanisë konsulente Evgeny Minchenko, tha se pret rezultate serioze në aspektin e çështjeve ekonomike.

Minchenko është i mendimit se dy temat të cilat do ta dominojnë takimin e sotëm janë Siria dhe ekonomia. “Nuk është e lehtë të bisedohet për Sirinë. Nuk mendoj se në një takim të vetëm mund të sillen vendime të mëdha. Të dyja palët presin rezultate të rëndësishme edhe te pjesa e marrëdhënieve ekonomike”, deklaroi Minchenko, sipas të cilit theksi duhet vënë tek ekonomia.

Drejtori i Përgjithshëm i Fondit për Zhvillim Energjetik, Andrey Listovskiy, është i mendimit se Putin dhe Erdoğan do të bisedojnë për gazsjellësin përmes Turqisë, i njohur edhe si “Rrjedha Turke”, për të shtuar se Ankaraja zyrtare akoma nuk i ka kushtuar vëmendje këtij projekti siç ka bërë Rusia.

“Për shkak të kësaj, ekspertët rus duhet të bindin palën turke. Nëse Rusia shfaq rëndësinë strategjike të projektit, Turqia nuk do ta refuzojë”, thekson Listovskiy.

Më herët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se në takim do të bisedohet për atë se në cilën fazë dhe me çfarë ritmi të ringjallen marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë.

Ai shtoi se do të diskutohet edhe çështja e Sirisë.

Comments