Spasovski: kërcënimet e votuesve dënohen me ligji

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, ka rikujtuar qytetarët se kërcënimet apo frikësimet eventuale ndaj tyre janë vepër penale e dënueshme me 3-5 vite burgim.
Ai premton se MPB do të luftojë çdo padrejtësi apo kërcënim ndaj votuesve, që eventualisht mund të paraqiten gjatë procesit zgjedhor dhe në vetë ditën e zgjedhjeve.
“Në rast se do të ketë çfarëdo qoftë presioni nga pjesëtarë të policisë, nga struktura udhëheqëse në MPB, apo presion e kërcënime nga cilido qoftë zyrtar shtetëror, drejtorë të qendrave për punë sociale, drejtorë nga institucione tjera, të paraqiten në kohë në Ministrinë e Brendshme, e cila do të ndërmarrë sanksione të ashpra, pasi presionet në zgjedhje dënohet me burg prej 3 deri më 5 vjet”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Spasovski vizitoi sot Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë.
Drejtuesit e tij garantuan se janë të gatshëm të sigurojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në pjesën që i tangon policisë.
Spasovski përkujtoi se policia është e obliguar që të veprojë sipas ligjit dhe e njëjta nuk mund të përfshihet në fushatat e partive politike.