Sulmi me armë në shkollën kanadeze, autorja 18-vjeçare gjendet e vdekur
Një sulm me armë zjarri ndodhi në një shkollë në Kanada një ditë më pare në 11 shkurt, ndërsa sot autorja 18 vjeçe është gjendur e vdekur. Sulmi i armatosur, i ndodhur dje në komunitetin e vogël Tumbler Ridge, në provincën British Columbia, la pas tetë viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Sipas autoriteteve kanadeze, ngjarja nisi fillimisht në një banesë pranë shkollës së mesme Tumbler Ridge Secondary School. Në shtëpi u gjetën të pajetë nëna e 18-vjeçares, 39 vjeçe, dhe vëllai i saj i mitur, 11 vjeç. Më pas, e reja dyshohet se është drejtuar drejt shkollës, ku hapi zjarr brenda ambienteve të saj.
Nga të shtënat në shkollë humbën jetën gjashtë persona: një mësuese 39-vjeçare, tre nxënëse 12-vjeçare dhe dy nxënës, përkatësisht 12 dhe 13 vjeç. Përveç viktimave, të paktën 25 persona të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa disa prej tyre vijojnë të marrin trajtim mjekësor në spital.
Pas kërkimeve dhe hetimeve intensive, autoritetet konfirmuan sot se 18-vjeçarja është gjetur e vdekur. Sipas informacioneve paraprake nga policia, dyshohet se ajo i ka dhënë fund jetës me armë zjarri. Hetimet janë ende në zhvillim për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivin e kësaj tragjedie.
Në vendngjarje janë sekuestruar dy armë zjarri, një armë e gjatë dhe një pistoletë e modifikuar. Autoritetet kanë deklaruar se nuk ka persona të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje. Policia bëri të ditur se në të kaluarën kishte pasur ndërhyrje në banesën e familjes për çështje të ndryshme, përfshirë shqetësime që lidhen me shëndetin mendor. Gjithashtu, 18-vjeçarja kishte pasur më parë një leje për armë, e cila rezultonte e skaduar.
Tumbler Ridge është një komunitet i vogël me rreth 2,400 banorë, ndërsa shkolla e mesme ka rreth 160 nxënës. Ngjarja ka tronditur thellë banorët, të cilët e përshkruajnë zonën si një vend kryesisht të qetë.


Comments are closed.