Tahiri: Degradimi i raporteve me SHBA-në ka adresë Osmanin e Kurtin
Publikimet e fundit të komunikimeve mes ambasadorit të Kosovës në SHBA dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të në cilat shpaloset raporti i acaruar dhe frustrimi i zyrtarëve amerikanë me Qeverinë Kurti, kanë nxitur reagimin e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ky i fundit, me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se ky rast, paraqet degradim të raporteve me SHBA-të, shkruan lajmi.net.
Sipas tij, ky është “një gabim historik” dhe “rrugë pa krye”.
Tahiri për këtë gjendje drejton gishtin kah kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani.
Postimi i plotë i Tahirit:
“Trajtim nga shteti nikoqir që është larg më brutal se që mund të perceptohet”. Kjo është fotografia e marrëdhënieve në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës tonë, që sot drejtohet nga Vjosa Osmani e Albin Kurti. Ky është i vetmi tregim që s’kemi besuar e pritur se do ta dëgjojmë ndonjëherë. Por ja që po ndodhë e po shpaloset përpara syve tanë. Degradimi i raporteve me SHBA-të, për Kosovën nënkupton një gjë të vetme: rrugën pa krye në drejtim të gabuar historik, politik e shtetëror. Për këtë gjendje, s’ka koment. Ka vetëm adresë dhe autorë: Vjosa Osmani dhe Albin Kurti. /Lajmi.net/

