Tahiri: Kam pasur presion për votimin e demarkacionit me Malin e Zi, votova kundër vullnetit tim (Video)

406

Deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri  kishte paralajmëruar dorëheqje nëse nuk përmbushet kushti i fundit për vizat, e që ai ishte votimi i demarkacionit me Malin e Zi, kurse tash kërkon falje që liberalizimi nuk ndodhi.

Tahiri në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se një prej arsyeve pse BE-ja ka refuzuar të jep vizat për Kosovën, mund të jetë edhe përkatësia fetare e banorëve të Kosovës.

“Ka ministra ekstremistë në BE, që kanë antipati ndaj popujve mysliman”.

Deputeti i koalicionit qeverisës ka kërkuar falje para qytetarëve të Kosovës, për dështimin e liberalizimit të vizave.

“Personalisht kërkoj falje nga qytetarët që liberalizimi nuk ka ndodhë këtë vit. Mendoj se të gjithë deputetët duhet të kërkojnë falje qytetarëve sepse atë e kemi premtuar në fushata zgjedhore. Nuk e di se çfarë do t’u premtojnë më qytetarëve politikanët kur të vijë zgjedhjet”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Tahiri ka thënë se pas këtij vendimi të BE-së, në Kosovë mund të ketë një eksod tjetër si ai i vitit 2015.

“Kush do të marrë fajin nëse do të ketë eksod si ai që ishte nga qytetarët e Kosovës drejt Hungarisë”.

 Deputeti ferizajas ka thënë se ka pasur presione indirekte për votimin e demarkacionit, me arsyetimin se do të liberalizohen vizat.

“Apostolova më ka premtuar se nëse votohet demarkacioni për të marrë liberalizimin e vizave”.

Tahiri thotë se votimin e demarkacionit e ka bërë kundër dëshirës së tij.

“Me dëshirë nuk do të kisha votuar demarkacionin. Por, pikërisht më kanë kërkuar sepse e kanë ditur që jam kundër demarkacionit… Më kanë bërë presion se me dëshirë nuk e kisha votua”, tha deputeti Labinot Tahiri./Telegrafi/

Comments