Tahiri shpjegon arsyen e ndërprerjes së dialogut për të pagjeturit në Bruksel

122

Moebel THEMA

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri u takua sot me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar dhe familjarët e personave të pagjetur me të cilët bisedoi për çështjen e të pagjeturve dhe angazhimet e Qeverisë së Kosovës për zbardhjen e fatit të tyre.

Sipas komunikatës nga kjo Ministri, Tahiri “shprehu përkushtimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për zbardhjen e plotë të fatit të personave të pagjetur”.

Ajo potencoi se Qeveria e Kosovës vazhdimisht kërkon nga faktori ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë që të tregojë vendndodhjen e personave të pagjetur, sepse është Serbia ajo që ka bërë gjenocid në Kosovë dhe ka bërë zhdukjen e personave, andaj Serbia e dinë ku janë vendet dhe lokacionet e të pagjeturve.

Tahiri tha se në bisedimet në Bruksel, delegacioni i Kosovës kishte paraqitur faktet dhe kërkesat për zbardhjen e fatit të rreth 1800 personave të pagjetur si dhe ia ka dorëzuar BE-së listën e personave të pagjetur.

Ajo shpjegoi më tej se arsyeja pse dialogu në këtë temë nuk vazhdoi ishte sepse Serbia nuk u tregua e gatshme që të paraqes listën për vendndodhjen e këtyre personave të zhdukur.

Ajo po ashtu bëri shpjegimet për “keqkuptimet” që ndodhën në debatin e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, duke thënë se BE-ja kërkoi nga shtetet listat e vendndodhjes së të zhdukurve, sepse listat e emrave të 1860 personave të zhdukur “ne ia kishim paraqitur BE-së”.

Në takim morën pjesë Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, si dhe anëtarët dhe përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, Bajram Qerkini, Sevdije Frangu dhe Sali Muhaxheri. /KP/

Comments