Tahiri: Të ndalen tendencat e Qeverisë për kontrollin e mediave
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri sot ka kërkuar nga Qeveria të ndal tendencat për kontrollin e mediave.
Ai në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ka thënë se duhet të ruhet pavarësia e institucioneve të pavarura kushtetuese.
“Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, diskutuam për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili synon të rregullojë disa çështje që lidhen drejtpërdrejt me funksionimim e mediave online. Kjo iniciativë, në dhjetor të vitit të ka kaluar në Qeveri, dhe se deri më tani kanë qenë disa reagime të organizatave profesionale duke përfshirë Këshillin e Mediave të Shkruara për adresimin e disa çështjeve të cilat kërkojnë përgjigje”, ka thënë Tahiri.
Ai nuk është pajtuar me Ligjin për Organizatat Joqeveritare, ku KPM-ja duhet të rrit numrin e anëtarëve nga 7 në 11.
“Emrat e anëtarëve të KMP-së zgjedhën nga shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Sot është LVV-ja, nesër mund të jetë dikush tjetër dhe mandati i anëtarëve të KPM-së po u rritet. Prej një mandati trevjeçar dhe katërvjeçar tash po shkon në katërvjeçar me mundësi të rizgjedhjes. Është shumë të zgjidhen për tetë vjet në KPM. Kjo nuk duhet të ndodhë. Stërzgjatja e mandatit në udhëheqje korporative është gabim”, është shprehur Tahiri.

