Tiranë, mazhoranca voton vetting-un, opozita braktis seancën
Kuvendi i Shqipërisë votoi vetëm me votat e mazhorancës ligjin e vetting-ut, që ka të bëjë me kontrollin e pasurisë dhe figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve…
Miratimi i këtij ligji kërkonte shumicë të cilësuar, prej 84 votash por mori 88 pro dhe një abstenim.
Opozita u largua nga salla para votimit, siç kishte paralajmëruar të bënte, nëse nuk do të merreshin parasysh amendamentet e saj. Gjatë seancës ish-kryeministri Berisha, tha se në këtë mënyrë mazhoranca po prishte konsensusin dhe po miratonte një ligj antikushtetues.
“Opozita ka luftuar shumë për standarde dhe prapë është e vendosur të luftojë. Këtu po prishet pikërisht ai konsensus që është sanksionuar në Kushtetutë. Ju a doni të funksionojë reforma apo jo? Në këtë reformë përcaktuam një mënyrë tjetër dhe këtë ramë dakord dhe e votuam. Po tani ju pse e ndryshuat? Ke dy vjet që bën përpjekje, por t’i kemi thyer turinjtë sa herë ke dashur dhe do vazhdojmë të t’i thyejmë turinjtë. Hajt të votojmë ligjin e BKH dhe të votojmë siç është reforma. Mos bëj gjëra qesharake”, u shpreh Berisha.
Kryeministri Edi Rama, ngulmoi në votimin e vetting-ut duke akuzuar opozitën se ka qenë kundër edhe reformës në drejtësi.
“Moment i rëndësishëm i kurorëzimit të reformës në drejtësi. Vetting-u i hap rrugë fshesës së hekurt të pallatit të drejtësisë. Ligji pastron ata që kanë marrë peng drejtësinë në këtë vend. Marrin fund ata që kanë kthyer drejtësinë në një mall që shitet dhe blihet. Ata që i kundërvihen reformës kanë probleme më drejtësinë, ata që pengojnë reformën e ndiejnë se çfarë vjen pas reformës“,- u shpreh Rama.
Në të njëjtën linjë me aleatin në qeverisje, kryetari i kuvendit dhe i LSI, Ilir Meta, kërkoi që ligji të votohet.
“Më vjen keq që gjithë kjo kohë që u dha në maksimum disa javë, nuk u shfrytëzua me efektivitetin e duhur, por e kemi një afat që duhet respektuar. Për të gjithë ata që përmendin konsensusin e 21 korrikut, ka një dallim themelor. Ky konsensus ka të bëjë me legjitimitetin e reformës. Më duket e vështirë të shpresojmë prapë që të arrihet konsensus mesnatën e 30 dhe 31 gushtit. Për të gjithë reformën në drejtësi, jam i bindur që dy juristë për të njëjtin konsensus nuk kanë të njëjtin koncept. Por nuk shoh asnjë gjë themelore që të pengojë votimin e opozitës në parim dhe nen për nen. Disa pretendime e kam të vështirë t’i kuptoj”,-deklaroi Meta.
Opozita u shpreh se do ta ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Kreu i qeverisë Edi Rama tha se kjo ishte një orvatje e kotë për ta vonuar aplikimin e ligjit.