Top 10 vendet e origjinës së vizitorëve në Shqipëri

169

auto_turizmi1479047471

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në Shqipëri, Milva Ekonomi, shpjegon me detaje se si do të kryhet vlerësimi i strukturave akomoduese në sektorin e turizmit.

Sipas saj, standardet e reja që synohen të vendosen janë shumë të përafërta me ato ndërkombëtare ndërsa zbatimi i tyre, sipas Ekonomit, do të jetë një hap i ndjeshëm cilësor i ofertës turistike shqiptare.

Duke folur për turistët, ministrja Ekonomi tha se Shqipëria vizitohet më së shumti nga turistë nga Kosova, pastaj nga Maqedonia, Italia, Greqia e Mali i Zi.

“Top 10 vendet e origjinës së vizitorëve në Shqipëri janë nga Kosova, Maqedonia, Italia, Greqia, Mal i Zi, Anglia, Polonia, SHBA, Gjermania dhe Turqia. Po t’i referohemi WTTC deri në fund të 2016-s, sektori i turizmit pritet të gjenerojë punësim për rreth 77,000 persona”, tha ministrja shqiptare e Zhvillimit Ekonomik.

Ndërkaq, duke iu referuar të dhënave që ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka mbledhur nga Drejtoria e Kufirit në Policinë e Shtetit, numri i vizitorëve që vizituan Shqipërinë për periudhën janar-gusht 2016 është 3.469.000, që do të thotë 19.7% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të 2015-s.

“Të ardhurat nga udhëtim/turizmi për 6-mujorin e parë të vitit 2016, sipas Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë, kanë qenë 640 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur këto të ardhura kanë qenë 592 milionë euro. Të ardhurat neto nga udhëtim/turizmi për 6-mujorin e parë të 2016 kanë qenë 140 milionë euro. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur të ardhurat neto ishin 118 milionë euro, kemi një rritje prej 19%”, ka theksuar ministrja Ekonomi.

Një e dhënë tjetër interesante për të cilën flet ministrja Ekonomi është edhe ajo se numri i fluturimeve charter gjatë periudhës maj-gusht 2016 është rritur për 98% në raport me vitin e kaluar.

“Të dhënat e regjistruara nga TIA për numrin e fluturimeve charter gjatë periudhës maj-gusht 2016, na tregojnë se ato u rritën 98% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Hyrjet e kroçerave dhe jahteve turistike në Shqipëri, vërehet që gjatë periudhës janar–gusht 2016 kanë pasur një shtim të këtyre mjeteve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë këtij viti kanë hyrë në total 924 mjete të tilla, 30% më shumë se në vitin 2015. Gjatë sezonit turistik veror qershor-gusht nga 2015 në 2016, vërehet rritje 15% e vizitorëve nëpër monumente kulturore, muze dhe parqe arkeologjike”, u shpreh ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Ndërkaq, Ekonomi tha se deri në fund të 2016-s, sektori i turizmit pritet të gjenerojë punësim për rreth 77,000 persona.

Comments