TRAJANOVSKI: NUK E LËMË ANASH HASANBEGUN


Nuk do të jetë askush i harruar, as nga Qyteti i Shkupit dhe as nga strukturat e mbetura, të cilët punojnë në sanimin e pasojave nga fatkeqësitë natyrore. Kështu u përgjigj kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski në pyetjen e gazetarëve, se cilat janë hapat e mëtejshëm për rajonet e vërshuara dhe pse ka ankesa të qytetarëve se asgjë nuk po punohet në Hasanbeg në krahasim me Stajkovcën, raporton SHENJA.
“Mendoj se kemi bërë shumë në sanimin e dëmeve të fatkeqësisë e cila shkaktoi dhe viktima dhe dëme të mëdha materiale, pasojat janë shumë të mëdha. Rreth asaj që pyetët nëse Hasanbegu është i harruar unë do të thoja se aspak nuk është i harruar, sepse rruga e parë që kemi asfaltuar është pikërisht në Hasanbeg me gjatësi deri në 1200 metra. Nuk do të harrojmë asnjë fshat. Atë duhet ta kuptoni. Të gjithë janë banor të qytetit të Shkupit dhe të komunës Gazi Babë. Punohet paralelisht me të gjithë”, ka deklaruar Koce Trajanvski, kryetar i Qytetit të Shkupit.
Ai tha se do të asfaltohen edhe rrugët të cilët nuk kanë qenë të asfaltuara më parë, dhe se infrastruktura e rrugëve do të bëhet edhe më e mirë se ajo që ka qenë përpara vërshimeve
“Qyteti i Shkupit, ndau 150 milionë denarë, në këshill të cilat do të jepen për sanimin e infrastrukturës në komunën e Gazibabës por edhe në komuna të tjera, ato janë rreth 2. 5 milionë euro. Komuna e Gazibabës po përgatit tenderë dhe shpresoj se gjatë javës që vjen do të publikohen tenderë. Është me rëndësi që është kyçur Qeveria e Republikës së Maqedonisë, përmes Ministrisë për Transport dhe lidhje, në të cilën do të jetë e përfshirë edhe ndërmarrja “Makedonija Pat ”. Mendoj se edhe Ministria do të japë rreth 3 milion euro përmes “Makedonija Pat” në asfaltimin e këtyre rrugëve.”, shtoi më tej Trajanovski.
Ai poashtu tha se në ditët në vijim do të fillohet me punë për rregullimin e rrugës Alija Avdoviq, dhe se duke pasur parasysh që pjesa tjetër është në përfundim e sipër të sanimit, sigurisht që për 15 ditë do të përfundojnë punimet.