Transporti i nxënësve, MASH-i e hedh topin te Komunat (Video)

E drejta për transport falas të nxënësve vazhdon të cenohet në shumë komuna të vendit. Një gjë e tillë ndodh për shkak të krizës financiare që ka përfshirë shumë komuna. Nga Ministria e Arsimit akuzojnë pushtetin lokal për keq menaxhim të mjeteve financiare. Sipas dikasterit të arsimit shuma e bllok dotacioneve është i mjaftueshëm që komuna ti kryej të gjitha obligimet në fushën e arsimit.
“Dukuria po rrjedh nga pushteti lokal, tash nuk dua të hyj në pjesën e menaxhimit dhe mos menaxhimit të mirë të mjeteve financiare të cilat i lëshon ministria e Arsimit dhe Shkencës deri te pushteti lokal. Ministria e Arsimit dhe Shkencës bllok dotacionet u’a lëshon komunave që komunat ti menaxhojë ato mjete financiare për mirëmbajtjen e shkollave, për dhënien e rrogave dhe gjithashtu për transportin e nxënësve. Obligimi ynë si ministri e Arsimit për t’ju dal në takim, si obligim ligjor ne e kemi kryer, obligimi tjetër operativ për ta zbatuar atë obligim ligjor, për ta organizuar dhe siguruar transportin e nxënësve e ka për obligim pushteti lokal”, u shpreh Safet Neziri, ministria e Arsimit.
Edhe gjatë ditës së sotme nxënësit e Tetovës u përballen me mungesën e transportit për në shkollë dhe u detyruan që biletat ti paguajnë nga buxheti i tyre. Ndërsa nxënësit e fshatit Mateç të Komunës së Likovës vazhdojnë të shkojnë në shkollë të grumbulluar në një autobus për shkak të mungesës së numrit të duhur të autobusëve.