Tri xhamitë e para të Prizrenit

306

prizren-655x356

 

Në Prizrenin e vlerave të trashëguara të kulturës materiale, xhamitë janë thesar i pakontestueshëm. Aq sa është zor që të përcaktohet se cila prej tyre është më e bukura. Secila më e mahnitshme se tjetra, e secila me rrëfime të veçanta.

Prandaj, natyrshëm del i rëndësishëm një kombinim rrëfimesh për tri xhamitë e para të Prizrenit. Krejt në fillim ishte Namazgjaja, xhamia e hapur e cila fillimisht u shërbeu ushtarëve osmanë që pushtuan përfundimisht këtë qytet në qershorin e 1455-s, shkruan sot “Koha Ditore”. Pak ditë u ishin dashur atyre që të ndërtonin vendin për lutje, ashtu siç ua kërkonte ligji.

Tash përdoret rrallë, e është riaktualizuar në muajin e shenjtë të myslimanëve, Ramazanin e këtij viti. Tash aty është bërë park, e Namazgjaja është në qendër të tij. Më shumë sesa në funksionin e saj të lutjeve është kthyer në atraksion turistik për qytetin antik. Është rast unik për vendin e rajonin.

Xhamia e dytë në Prizren është në fakt xhamia e parë “e kompletuar”. Është Suzi Xhamia, që u ndërtua me financim të atij që ia dha emrin xhamisë. Ishte viti 1512, kur ai vendosi që të ndërtonte xhaminë, e krahas saj edhe Bibliotekën, që konsiderohet si ndër të parat në Ballkan.

Xhamia tjetër e moçme është ajo me formë katrore, e njohur me emrin e Kukli Beut, në lagjen Saraçhane, ku zejtarët përpunonin rripa dhe elemente tjera nga lëkura dhe ku mbahej edhe tregu i drithit. Atë e ndërtoi në vitin 1531, Kukli Mehmed-beu, që në atë kohë ishte Vali prej Selaniku gjer në Bosnjë.

Falja nën qiell të hapur

Në mes të komplekseve të reja të banesave, zhurmës së makinave e autobusëve që kanë fare pranë stacionin, hapësira e Namazgjasë është një lloj oaze e qetësisë. Përreth saj është rregulluar një kopsht i bukur, për të cilin ka ndihmuar edhe kryeqyteti i Turqisë, Ankaraja.

Comments