Veseli i reagon Vuçiqit rreth raporteve “sekrete” për Kosovën

351

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar sot ndaj një deklarate interesante, të dhënë gjatë ditës, nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Numri një i Serbisë u ka thënë të dielën qytetarëve të vendit të tij se çdo ditë lexon nga 500-600 faqe dokumente sekrete për Kosovën.

E, kryekuvendari kosovar, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, nëpërmjet një prononcimi për Gazetën Express, i ka përcjellë një mesazh udhëheqësit serb.

“Nuk ka nevojë të lexosh çdo ditë 500 faqe raporte për Kosovën, mjafton ta lexosh një herë të vetme Kushtetutën e saj”, ka thënë Veseli.

“Aty flitet për një realitet konkret, një shtet të pavarur dhe sovran, që respekton në plotni të drejtat e njeriut dhe komuniteteve, që synon integrimin evropian përkrah qytetërimeve demokratike dhe që është në kurs të duhur të zhvillimit kundrejt vajtimit të historisë”, ka thënë Veseli për Express.

“Besoj se kjo do të ta kursej mundin dhe do të ta mundësoj të merresh me problemet reale të serbëve që jetojnë në Serbi”, e ka këshilluar Veseli, Vuçiqin.

Comments