Veteranët: Qeveria i ka prishur vet raportet me FMN-në

240

Moebel THEMA

Veteranët: Qeveria i ka prishur vet raportet me FMN-në

Dje është publikuar Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, sipas të cilit vendi ka ende shumë punë për të bërë deri në finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave.

Mes tjerash u tha se në aspektin ekonomik, problemi i pensioneve të veteranëve shihet si pika më kritike e raportit, e që mund të jetë edhe “mollë sherri” për prishjen e raporteve mes Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), shkruan Indeksonline.

Lidhur me këtë, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka thënë në një prononcim për Indeksonline se fajtor për çdo prishje të raportit Kosovë-FMN është vetëm Qeveria e Kosovës.

“Po ne jemi duke i përcjellur në vazhdimësi edhe shqetësimet e FMN-së poashtu edhe shqetësimet në raportin e progresit për republikën e Kosovës. Poashtu edhe ne ka kohë që kemi reaguar dhe jemi të shqetësuar rreth fryerjes të listave të veteranëve. Ne nuk jemi fajtor për fryerjen e këtyre listave,madje as nuk kemi qenë pjesë e këtij komisioni qeveritar për njohjen e statusit të veteranit të UÇK-së. Fajtori për çdo prishje të raporteve qoftë me FMN-në qoftë me mekanizmat e tjerë nderkombëtar është qeveria e republikës të Kosovës”, tha Qeriqi.

Sipas tij, edhe fryerjen e listave të veteranëve, të cilat u përfolën aq shumë e ka bërë vet qeveria dhe komisioni kompetent.

“Arsyeja se pse është fajtore kjo e fundit është se qeveria bashkë me komisionin qeveritar për njohjen e statusit të veteranit të UÇK-së i kanë bërë këto dallavere dhe i kanë fryer listat e veteranëve”, ka theksuar Qeriqi.

Ai bëri të ditur se veteranët kanë kërkuar dhe vazhojnë të kërkojnë një auditim të pavarur, por që qeveria po hesht. Madje, Qeriqi tha se veteranët i kanë ofruar edhe ndihmë qeverisë për këtë problem, në mënyrë që mos të prishen raportet me FMN-në dhe mekanizmat tjerë, por që nuk ka pranuar.

“Iu kemi ofruar edhe zgjidhje të këtij problemi këtyre të fundit në mënyrë që mos të prishen raportet me FMN-në dhe mekanizmat e tjerë por qeveria na ka injoruar as që ka dashur të bisedoj, sikur të merreshin ato rekomandime jam i bindur që nuk do të kishin probleme as me buxhetin per veteranë as me këto mekanizma nderkombëtar”, potencoi Qeriqi.

Ai paralajmëroi se do të vazhdohet me protesta sa herë që iu shkelen të drejtat dhe stopohen pensionet e veteranëve.

“Ne normalisht se do të protestojmë sa herë që tu shkilen të drejtat e veteranëve dhe nuk do të lejojmë në asnjë formë që pensionet për veteranë të stopohen shkaku i atyre që manipuluan. Ne do të kërkojmë që kjo kategori të trajtohet dinjitetshëm sepse ka dhënë shumë për lirinë e vendit dhe do të kërkojmë që tu kthehet identiteti i luftarit të vërtet”, vlerësoi Qeriqi.

Sipas tij, ata të cilët padrejtësisht përfitojnë në listat e veteranëve duhet të ndiqen nga drejtësia, qoftë ata që tashmë pa qenë veteran fare sot e gëzojnë këtë status, qoft ata të cilët për qëllime të tyre personale dhe politike i kanë bërë këto manipulime.

“Për këto të fundit e kam fjalën per anëtarët e komisionit që në njëfarë forme e dëmtuan imazhin e luftarit dhe të luftës për qëllimet e tyre”, përfundoi Qeriqi./Indeksonline/

Comments