(VIDEO) SHTYHET GJYKIMI I GAZETARIT ZORAN BOZHINOVSKI
Në protestën e organizuar për çlirimin e Bozhinovskit gjykimi i të cilit u shty sot, kryetari i Shoqatës së gazetarëve në Maqedoni, Naser Selmani tha: “Sot kemi ardhur para Gjykatës së Shkupit të shprehim solidaritetin tonë me gazetarin Zoran Bozhinovskin, i cili tre vjet i është nënshtruar përndjekjes penale për shkak të punës së tij si gazetar.
Përderisa gazetarët protestonin, Gjykata Penale në Shkup e shtyu gjykimin e gazetarit Zoran Bozhinovski, i akuzuar për rastin “Spiun”.
Gjykatësi bëri me dije se edhe pse Gjykata Themelore ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën e Apelit, t’ua dorëzojnë të gjitha provat në lidhje me rastin “Spiun”, deri më sot Gjykata e Apelit nuk e ka bërë këtë.
„Për këtë shkak urdhërova mos ta sjellin fare Bozhinovskin në gjykatë, sepse nuk ka kushte për mbajtjen e seancës gjyqësore”, tha gjykatësi.
Gazetarët të cilët protestuan kërkuan që rastin e Bozhinovskit ta marrë PPS sepse siç u tha në protestë, kompetenca e tyre mbi këtë rast, është e pakontestueshme. Avokati i tij, Mile Petrovski, shpjegoi se është gjykata ajo e cila do të vendos për kompetencën e prokurorisë në këtë rast.
„Nëse PPS kërkon bashkimin e lëndës dhe në rast se Gjykata e Apelit e shfuqizon tërësisht ose pjesërisht lëndën “Spiun”, me kërkesë të të akuzuarve në këtë lëndë, atëherë do të jetë e mundur që lënda të bashkohet. Tani për tani, në këtë fazë kjo gjë nuk është e mundur”, Mile Petrovski.
Në Rastin “Spiun”, janë të akuzuar 19 persona të cilët akuzohen për shoqërim kriminal, për spiunim dhe shantazh. Në këtë rast po gjykohen pjesëtarë të tanishëm dhe të mëparshëm nga inteligjenca ushtarake dhe civile, polic të më hershëm, ish drejtori i Drejtorisë së luftës kundër larjes së parave dhe ish shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit. Ndër ta është edhe gazetari Zoran Bozhinovski, por për të u ndërpre procesi gjyqësor sepse ai nuk ishte i qasshëm për gjyqin. Pas ekstradimit të tij nga Serbia në muajin mars, lënda e tij u nda nga lënda e të të akuzuarve të tjerë në rastin “Spiun”. Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për më 27 shtator.