(VIDEO) TAKSISTI QË HUMBI GJITHÇKA NGA VËRSHIMET, S’KA PARA AS PËR ILAÇET E NËNËS ME PARKINSON

221

Ky është automjeti i taksistit të njohur në lagjen e Hasanbegut Rizah Sallko. Puna e tij nëntë vjeçe si taksist, u zhbë e tëra, për disa minuta të shtunën. Ai vetë me familjarët e tij, ka filluar të pastroj oborrin dhe deri më tani, thotë se, askush nuk i ka ofruar ndihmë. Vajzën 10 vjeçe Tuana dhe Alena 6 vjeçe bashkë me bashkëshorten shtatzënë, mezi ua ka shpëtuar jetën.

“Automobili më shkoi. Ta kisha pas kerrin. Unë prej asaj mbijetoja. Një muaj do të punoja dhe do të kisha ble shporet e gjësende tjera. Unë kam fëmijë të vegjël. Një tjetër tash po pres. Muajt kalojnë shpejtë. Kjo është dita e gjashtë e vërshimeve. Shumë rëndë, prej zero fillova tash prapë shkova në zero”, tha ai.

Nëna e Rizës vuan nga sëmundja e Parkinsonit dhe ka mungesë të ilaçeve. Si e sëmurë që është, atë e kanë dërguar te familjarët e afërt. Rizo po lut autoritetet që po menaxhojnë me krizën pas vërshimeve, që të hynë nëpër rrugët e fshatrave e jo vetëm të pastrojnë në rrugët kryesore.

“Gjithçka është private, s’kemi ndihmë nga askush. Atë natë luftonim me babin që t’i shpëtojmë fëmijët. Nënën mezi e kemi shpëtuar. Këmba e saj ishte e thyer dhe mezi e nxorëm prej atij uji. Ishte e ngatërruar në derën e tualetit. Dera e hyrjes u thye. Kaos. Kemi humbur gjithçka”, shprehet ai.

Familjarët e Rizës gjenden për momentin tek kushërinjtë e afërt. Ndërkaq vetëm babai qëndron në shtëpi pasi që thotë se kanë filluar vjedhjet nëpër mëhallë.

Comments