Vuçiqi nuk e përjashton njohjen e Kosovës nëse merr pjesë të territorit të saj?
Kreu i shtetit serb, Aleskandar Vuçiq, ka thënë se Kosovës mund t’i merren disa metra territor dhe se fakti i pavarësisë së saj mund të ndryshojë.
Këto komente, Vuçiqi i bëri pas takimit që zhvilloi në Beograd me liderin serb të Bosnjës, Millorad Dodik. Ky i fundit tha se serbët e Bosnjës duhet të kenë të drejtën e vetëvendosjes, sikurse edhe serbët në veri të Kosovës.
Vuçiqi kujtoi se në takimin e fundit në Bruksel tek Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka qenë i vetëm – se të gjithë të tjerët ose e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ose do ta njihnin sikur të mos ishte Millorad Dodiku në Bosnje.
“Askush s’mu përgjigj, as Zvizdiqi, as askush tjetër. Dhe këtë të gjithë e dinë. Në BeH vuajnë pse nuk janë në rrugën drejt NATO-s, ndërsa unë duhet sërish të reagoj e të them se kjo nuk është politika jonë, se Serbia nuk vuan dhe nuk dëshiron të jetë në rrugën e NATO-s. Dhe ne me këtë krenohemi, dëshirojmë vet të mbrojmë vendin tonë, qiellin tonë, sigurinë tonë”, tha Vuçiqi.
E kur thonë, shtoi ai, se nuk ka ndryshim kufijsh, “e dini të gjithë se çfarë nënkuptojnë me këtë në rajon – prandaj më pyesni përse jemi në situatë të vështirë”.
“Dikush duhet t’i thotë popullit – ata mendojnë se nuk guxon të ndryshojë fakti se Kosova është shtet i pavarur. Dhe nuk guxoni të merrni asnjëherë metër të asaj Kosove të pavarur, sepse nesër dikujt tjetër mund t’i bie kjo ndërmend”, deklaroi më tej Vuçiqi.
“Nuk mendoj se asgjë s’duhet të ndryshojë, përveç se duhet arritur një kompromis rreth Kosovës. Si do t’ia shpjegoj këtë unë popullit serb? Më thoni ju nga Perëndimi, me çfarë argumentesh të dal para popullit serb, me çfarë parimesh?”, ka shtuar ai.