Irani flet për “përparim”, ndërsa Trump refuzon “shantazhin”
Kryetari i parlamentit të Iranit tha se ka pasur “përparim” në bisedimet me Uashingtonin, por se mbeten dallime “themelore”. Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, hodhi poshtë atë që e quajti “shantazh” nga Teherani, pasi ky i fundit sërish mbylli Ngushticën e Hormuzit.
“Ne jemi ende larg diskutimit përfundimtar”, tha Mohammad Baqer Qalibaf, i cili është edhe negociatori kryesor i Iranit, në një fjalim të transmetuar në televizion herët më 19 prill.
“Kemi bërë përparim në negociata, por ka shumë boshllëqe dhe disa pika themelore mbeten”, shtoi ai, duke iu referuar rundit të parë të bisedimeve ballë për ballë në Islamabad më 11-12 prill.
“Ka disa çështje për të cilat ne këmbëngulim…Edhe ata kanë vijat e tyre të kuqe. Por këto çështje mund të jenë vetëm një ose dy”, shtoi ai, duke shprehur gjithashtu qëndrime të vijës së ashpër, duke pretenduar se Irani ka qenë “fitimtar në terren”, gjatë luftës.
Fati i takimeve të rinovuara ballë për ballë midis Uashingtonit, Teheranit dhe ndërmjetësve pakistanezë dukej i paqartë. Trump më 17 prill përmendi përparim dhe tha se negociatat do të vazhdojnë gjatë fundjavës.
“Do të flasim për Iranin më vonë. Kemi bisedime shumë të mira në zhvillim”, tha Trump.
Megjithatë, mes spekulimeve se palët mund të mblidhen sërish më 20 prill në Islamabad, nuk është shpallur ende një datë e re.
Organi më i lartë i sigurisë kombëtare i Iranit më 18 prill tha se Teherani po shqyrton “propozime të reja”, nga Shtetet e Bashkuara, të dorëzuara përmes shefit të ushtrisë pakistaneze Asim Munir, por ende nuk ka dhënë përgjigje.
Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare theksoi se ekipi negociator i Iranit “nuk do të bëjë as kompromisin më të vogël, tërheqje apo zbutje”, dhe do të mbrojë interesat kombëtare “me të gjithë forcën e tij”.
Këto deklarata vijnë disa ditë përpara skadimit të një armëpushimi dyjavor midis forcave të SHBA-së dhe Izraelit dhe Iranit, që përfundon më 22 prill.
Sulmohen anije civile
Shpresat se transporti detar do të rifillonte përmes ngushticës rezultuan jetëshkurtra më 18 prill, pasi forcat iraniane sulmuan të paktën tre anije civile pasi Teherani njoftoi se po tërhiqte vendimin për të rihapur rrugën.
Duke folur në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump, tha: “U bënë pak të lezetshëm… Donin ta mbyllnin sërish ngushticën, e dini, siç kanë bërë prej vitesh. Dhe nuk mund të na shantazhojnë”.
Një monitor i sigurisë detare detajoi tre sulme, incidentet e para të tilla që nga fillimi i armëpushimit dyjavor më 8 prill.
Në incidentin e parë, dy anije të armatosura të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) qëlluan pa paralajmërim mbi një cisternë, tha monitori.
Më vonë, ai tha se një anije kontejnerësh u “godit nga një predhë”, ndërsa pati një goditje të afërt në një sulm ndaj një anijeje të tretë.
Dy nga anijet mbanin flamurin indian, gjë që e shtyu Indinë të thërrasë ambasadorin iranian në shenjë proteste.
Pas incidenteve të fundit, forcat detare të IRGC-së vonë më 18 prill paralajmëruan se çdo anije që i afrohet Ngushticës së Hormuzit do të trajtohet si objektiv.
“Paralajmërojmë se asnjë anije, e çfarëdo lloji, nuk duhet të largohet nga vendankorimi i saj në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit. Çdo përpjekje për t’iu afruar Ngushticës së Hormuzit do të konsiderohet bashkëpunim me armikun, dhe anija shkelëse do të jetë objektiv”, thuhet në faqen e saj zyrtare të lajmeve.
Qalibaf — për të cilin shumë vëzhgues thonë se është fuqia reale prapa regjimit iranian — më 17 prill kishte publikuar një postim të ashpër në rrjetet sociale, duke akuzuar Trumpin se po thotë “gënjeshtra”, dhe duke thënë se për sa kohë që bllokada amerikane e porteve iraniane është në fuqi, “Ngushtica e Hormuzit nuk do të mbetet e hapur”./REL


Comments are closed.