Zgjedhjet, mundësi për rikthimin e 30 mijë votuesve

149

Moebel THEMA

zgjedhje

Pas një jave, 30 mijë votuesit e fshirë, të dyshuar si votues fiktiv, do të kenë një mundësi të re për rikthim në listën e votuesve. Nga 27 tetori deri më 16 nëntor, do të zgjasë shqyrtimi publik i listës së votuesve ku përveç qytetarëve të tjerë edhe 30 mijë votuesit të cilët nuk u paraqitën në afatin e parë dhe për pasojë u fshinë nga lista e votuesve, do të kenë mundësi që të paraqiten në njësitë rajonale dhe zyrën qëndrore të KSHZ-së dhe në formë elektronike për tu rikthyer në listën e votuesve.

Shumica e tyre tanimë dihet që janë shqiptarë, ndërsa një pjesë e madhe besohet se janë me banim të përkohshëm jashtë vendit. Rikthimi i mërgimtarëve në listën e votuesve do të jetë tejet e rëndësishme jo vetëm për zgjedhjet në vend, por më së shumti edhe për zgjedhjen e tre deputetëve në diasporë. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara kur shqiptarët nuk fituan asnjë deputet në diasporë, në këto zgjedhje janë rritur gjasat për fitoren e të paktën e një ose dy deputetëve për shkak të ndryshimin të modelit zgjedhor. Diaspora nuk do të jetë më e ndarë në tre njësi, por do të jetë një njësi e vetme zgjedhore ku partitë do të garojnë me listë prej tre kandidatëve.

Për fitoren e një deputeti nevojiten 6500 vota, ndërsa po aq do të nevojiten edhe për deputetin e dytë dhe të tretë. Në rast se vetëm një parti fiton 6500 vota, atëherë nga diaspora do të zgjidhet vetëm një deputet dhe dy deputetët e tjerë nuk do ti marrë asnjë parti. Duke patur parasysh numrin e madh të mërgimtarëve shqiptarë, pritet që shqiptarët të fitojnë në këto zgjedhje të paktën një ose dy deputet. Por, për të marë pjesë në këto zgjedhje, përveç paraqitjes së rëndomtë në listën e votuesve, kusht do të jetë që votuesit nga diaspora të paraqiten para zgjedhjeve edhe për tu përcaktuar se do të votojnë në listën për diasporë.

Të gjithë ata që nuk do të paraqiten në këtë listë me automatizëm do të kenë të drejtë të votojnë në njërën nga gjashtë njësitë zgjedhore në vend. Komisioni Shtetërorë Zgjedhorë tanimë ka marë nga MPB listën e votuesve dhe gjatë ditëve në vazhdim pritet të njoftohet numri i përgjithshëm i votuesve dhe numri i votuesve për secilën njësi veçmas.

Comments