Zonat e përmbytura, Lutfiu: Materiale shkollore falas për 5 mijë nxënës
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu, qartësoi polemikat rreth fillimit ose jo me punë këtë vit akademik të Universitetit të ri “Nënë Tereza” në Shkup.
Sipas tij, kanë filluar të gjitha procedurat dhe “Nënë Tereza” pritet t’i hapë dyert për studentët e parë më 1 tetor.
“Jam shumë optimist dhe besoj se Universiteti i ri “Nënë Tereza” do të fillojë të punojë dhe shfrytëzojë rastin që të apelojë edhe tek nxënësit, sepse komisionet tona punojnë në këtë drejtim që Universiteti të fillojë sa më parë”,– tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.
Gati është gjithçka edhe për fillimin e vitit shkollor në shkollat fillore dhe të mesme. Mësimi do të fillojë në kohë edhe në Shkollën Fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Haraçinë, e cila u dëmtua gjatë vërshimeve të 6 gushtit. Sot në këtë shkollë MASh-i solli karrige dhe banka. Ministri Lutfiu tha se MASh-i po u ndihmon të gjitha shkollave të prekura nga vërshimet dhe do të sigurojë fletore e libra për 5 mijë nxënës në këto zona.
“Në bashkëpunim me komunën, në bashkëpunim me instancat qeveritare, në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, jemi munduar që t’i ndihmojmë këtij rajoni, që sa më parë të kthehet në gjendje normale. Si Ministri e Arsimit dhe Shkencës jemi angazhuar që shkollave t’ju japim prioritet, me qëllim që fillim-viti shkollor t’i gjejë nxënësit në kushte normale”,- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.
Lutfiu kërkoi, ndërkohë, që mediat të mos politizojnë institucionet arsimore, duke risqaruar se të gjitha institucionet arsimore që respektojnë ligjet e Maqedonisë do të vazhdojnë të funksionojnë.