« Gazetarët » Mediat në Maqedoni kanë filluar të shohin ditë të bardha

389

Shkup, 3 maj – Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit – 3 Maji do të shënohet sot nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Ministria e Komunikimit, Llogaridhënies dhe Transparencës, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasada e SHBA-së.

Gazetarët thonë se mediat në Maqedoni për dallim nga e kaluara tanimë frymojnë më lirshëm por që ka ende nuk shumë punë për të bërë që mediat ta kryejnë misionin e tyre lirshëm.

Botuesi i gazetës KOHA, Arben Ratkoceri për Zhurnal shprehet se përgjigjen se sa janë të lirë gazetarët në Maqedoni më së miri mund ta gjejmë në raportet ndërkombëtare që çdoherë kanë vërejtje dhe kritika në këtë drejtim. Sipas tij Qeveria aktuale ka një vullnet të mirë që të ecet para në këtë çështje dhe problemet në këtë lëmi sado pak të ulen.

“Se sa janë të lirë gazetarët në Maqedoni përgjigjen në këtë, më së mirë e gjejmë në raportet ndërkombëtare, që dorën në zemër çdoherë kanë verejtje e kritika. Aktualisht duket se qeveria aktuale ka një vullnet që të ecet para në këtë çështje. Nuk duhet harruar se presioni ndaj gazetarëve nuk është vetëm nga politika por edhe nga pronarët të lidhur me biznese apo politik si dhe autocenzura e gazetarëve”, ka deklaruar për Zhurnal, botuesi i gazetës KOHA, Arben Ratkoceri.

Nga ana tjetër gazetari Venhar Ramadani për Zhurnal shprehet se mediat në Maqedoni kanë filluar të shohin ditë të bardha por ende janë në tranzicion nga një regjim që në të kaluarën ka bërë presion në Maqedoni.

“Raportimi dhe hulumtimi ende lë për të dëshiruar dhe për këtë duhet që mediat më shumë të punojnë për të fituar lirinë pasi e njejta nuk falet por fitohet. Gjithashtu, liria e mediave cënohet edhe nga financimi i politikës dhe institucioneve që krijojnë një zinxhir të frikshëm, që lidh fytyn e mediave që të flas lirshëm. Në Maqedoni është shumë e theksuar kjo si dukuri dhe për këtë nuk duhet ligj por fuqizim të bizneseve për të promovuar. Lidhur me këtë, kur mediat sigurojnë pavarësinë financiare është më lehtë që t’i thonë jo presionit nga faktorë tjerë, të përmendura më lartë”, ka deklaruar për Zhurnal, gazetari Venhar Ramadani dhe njëherit Drejtor i Telegrafi.com në Maqedoni.

Ndërsa gazetari, Mevludin Imeri thotë se gazetarët janë të lire të shkruajnë deri në momentin kur shkrimi i tyre nuk e dëmton ndonjë subjekt politik.

“Gazetarët në Maqedoni janë të lirë të shkruajnë, hulumtojnë deri në momentin kur nga shkrimi ose hulumtimi i tyre nuk rrezikohet ndonjë subjekt politik ose me ndonjë person “të fortë” nga ndonjë parti politike shqiptare. Gazetarët në vendin tonë përballen me heshtje institucionale “jo transparencë”, kjo do të thoja është pengesa më e madhe e gazetarëve për momentin”, ka deklaruar për Zhurnal, gazetari Mevludin Imeri.

Ministri i shoqërisë informatike, Damjan Mançevski me rastin e ditës së lirisë së mediave thekson se mediume të pavarura, të lira, të përgjegjshme janë themeli për zhvillimin e një shoqërie demokratike. Sipas tij sulmi ndaj lirisë së mediave, është sulm ndaj sundimit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.

Comments are closed.