NËN HIJEN E KOMANDANTAVE

801

Nga: Anita Kadriu

Nga etja e komandantëve dhe përkrahësve të tyre, për të treguar lavditë dhe heroizmat që nuk i kishin bërë, u harruan (ndoshta edhe me qëllim) krimet më çnjerëzore serbe, vrasjet e civilëve, të grave, pleqve, fëmijëve, dhunimet më monstruoze të grave dhe vajzave dhe djegia e tërë Kosovës

Nuk kemi vetëm heronj. Kemi rreth 20 mijë heroina. Më shumë se një dekadë heshtja mbështolli vuajtjet e tyre. Përjetuan pafund padrejtësinë e shoqërisë kosovare. Për tërë vitet e pasluftës as Tribunali i Hagës dhe as gjykatat në Kosovë nuk arritën të dënojnë qoftë edhe një person të vetëm për dhunimin sistematik të grave në Kosovë dhe për dhunimin si armë lufte.
Të stigmatizuara, të braktisura dhe të përballura me tendencën për t’i heshtur, drejtësia që ato nuk panë deri më tani, vështirë se ndonjëra do të mundë të aplikojë për të fituar statusin e femrës së dhunuar që t’i takojnë benificionet.
Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, gjatë periudhës 1998-1999 janë dhunuar rreth 20 mijë gra kosovare.
Ajo që nuk po resht në trajtën shpesh më cinike janë zërat që për hesapet politike përdorin edhe retorikën e drejtësisë për gratë e dhunuara në luftë. Sidoqoftë kërkimi i drejtësisë dhe reparacioneve për këtë pjesë do të ishte më i moralshëm sikurse detyrimet tona të kryheshin me kohë.
Por, nën hijen e komandantëve, ato u harruan, u izoluan në ankth e në turp.
Rreth 20 mijë femra në Kosovë të dhunuara gjatë luftës nga forcat serbe, pas luftës mbetën nën hijen e komandantëve të UÇK-së.
Historitë e hiperbolizuara për betejat e fituara nga komandantët, autoriteti që krijuan më shumë bazuar mbi dhunë sesa mbi respekt, la jashtë historisë së luftës femrat e dhunuara, i la pa mbështetjen e institucioneve.
Derisa komandantët u bënë milionerë, deputetë, ministra, kryetarë komunash… ato bartën turpin që nuk ishte i tyre e nuk është, u vetëvranë, disa u çmendën, u panë si turp i familjes, u braktisën nga bashkëshortët, historitë e tyre u bënë burim të ardhurash për OJQ-të dhe asnjëherë për t’iu dhënë ndihmë për të dalë nga gjendja e rëndë psikologjike, për të mbijetuar ato.
Historia e komandantëve
Mbi komandantët rënduan akuza për krime lufte, korrupsion… Kjo nuk i bëri të ulin kokën ata asnjëherë, kurse ato ulën kokën në vend të atyre (komandantëve) që kishin marrë detyrën t’i mbronin.
Sot, akademi përkujtimore organizohen për shumë beteja, komandantët që udhëhoqën këto beteja dhe janë gjallë flasin me trimëri dhe lëvdatë për ato fitore. Por, përjashtuar iniciativat sivjet të ndërmarra nga presidentja Atifete Jahjaga, për femrat e dhunuara shumë pak u angazhua shoqëria e Kosovës.
Nëse një komandant hyn në një restorant apo kafene gjithë burrat ngrihen në këmbë, në dasma vendin më të mirë, pra kryevendin e ka komandanti, në morte fjalën e mban komandanti, sy e vesh drejt tij: “Ai di, ai ka luftuar, ai është heroi”. Por, jo ai nuk është heroi im. Nuk është heroi i rreth 20 mijë femrave të dhunuara.
Nuk kam dëgjuar si gazetare ndonjë rast se si një komandant me ushtarë të tij ka shpëtuar nga duart e serbëve vajzat e reja shqiptare që disa ishin dhe në fillore, të tjera pa mbaruar gjimnazin…
Dëgjova histori të femrave të dhunuara, rrëfime dhe nga të tjerët që kishin dëgjuar britmat e tyre, madje nga ushtarë, e edhe nga një komandant: “I dëgjonim britmat e tyre, por nuk guxonim të lëviznim, serbët mund të zbulonin pozicionet tona”.
Për çka u pozicionuat ju komandantë aty në male, kë po mbronit, kë po luftonit?!
Burrat dhe djemtë iknin nga shtëpitë se mos i vrisnin serbët, disa rreshtoheshin në UÇK për të luftuar. Malet u bënë strehë për ta, e gratë kurbani i luftës.
Luftën ua latë grave. Pa armë mbetën në shtëpi, me thonj e duar tentuan të mbrojnë nderin. Luftën e fituan femrat e Kosovës.
Muret e shtëpive ku ato u mblodhën dhe u dhunuan, pronarët rrëfejnë se ishin tërë gjak, ato kishin rezistuar, ishin rrahur dhe më pas ishin përdhunuar.
Historia e atyre
Këto gra, që trupat e tyre u bënë pjesë e betejës së luftës më shumë se kushdo tjetër, pasluftës përjetuan dyfish hisen e keqe të luftës. Një grua e dhunuar në luftë me probleme të mëdha shëndetësore sot jeton me tre fëmijët e saj në një shtëpi të një të afërmi pa rrymë dhe pa ujë. Për ironi streha e saj është pak metra përtej vilës luksoze të një kryetari komune në Drenicë (periferi e Skenderajt). Fëmijët e saj shpesh i thonë asaj: “Aq sa ai ka shpenzuar vetëm për gjysmën e rrethojës ne do ta kishim ndërtuar një shtëpi”.
Por, as gjysma e atyre që iu nënshtruan mekanizmit të dhunës në luftë nuk arritën të përjetojnë ndryshe as pas.
– E linim derën hapur, nuk guxonim as ta mbyllnim kur vinin serbët ta gjenin të mbyllur, u dhunuam sistematikisht nëpër shtëpitë tona e nëpër shtëpitë ku ishim strehuar.
– U dhunua nëna me tri vajzat e saj.
– Femrat që u dhunuan në zonën e Drenicës gjatë deportimit për në Mal të Zi, u dhunuan për së dyti…
– Të braktisura nga bashkëshortët pasi e morën vesh historinë e tyre janë me qindra gra. Disa nga to që patën fëmijë po i rrisin ata të vetme, të kthyera te familjet e tyre. Bashkëshorti mori vesh historinë e saj, nuk e deshi as fëmijën e vet sepse dilte nga barku i një të dhunuare!
Në mars të 2014-s Kuvendi miratoi Ligjin për Gratë e Dhunuara Gjatë Luftës duke u lënë një hapësirë kohore rreth 4 vjet që femrat të kenë mundësi të paraqiten për të fituar benificionet. Tek tash Qeveria më në fund ka miratuar një rregullore që mundëson themelimin e Komisionit për Verifikimin dhe Dhënien e statusit të viktimave të dhunës seksuale në luftë, grave që iu nënshtruan kësaj dhune. Që nga viti 2014 kur u miratua ligji që njeh statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, kjo rregullore, si akt nënligjor, i mori hiç më pak se 2 vjet Qeverisë për t’u bërë.
Por, as ky nuk duket viti që ato do të mundë të fitojnë ndonjë mbështetje financiare. Qeveria duket hapur që nuk ka buxhet të mjaftueshëm. Këtë po e tregon edhe pamundësia e kompensimit të veteranëve të luftës.
Në anën tjetër shumat që ka gjasa të përfitojnë ato që do të marrin guximin t’i nënshtrohen procesit të verifikimit, janë aspak inkurajuese. Shuma sipas përllogaritjeve aktuale nuk kalon shumën prej 200 eurove.
Këto femra nuk duan të deklarohen për të marrë beneficione. “Sa herë të marrim të hollat na kujtohet ajo ditë”, thonë ato.
Ndërsa, ish-pjesëtarët e UÇK-së sa nuk u bënë copë se kush të bëhet veteran të marrë beneficione.
Nuk u dha përgjegjësi nga asnjë prej kriminelëve serbë për krimin e bërë ndaj tyre. Të dy serbët që u dënuan nga një trup gjykues i EULEX-it për dhunimin e një të miture në Vushtrri u liruan pak muaj më vonë.
Sot për 8 Mars, Qeveria duhet të kërkojë ndëshkim për këto krime në vend të urimit të thatë për gratë siç bën rëndom çdo vit.
Madje as memoriali i “Heroinave” nuk ka mbushur rrjetet sociale ashtu siç mbushin fotot e komandantëve. Tetë muaj më parë në Prishtinë u përurua memoriali “Heroinat”, monument i cili i kushtohet sakrificës dhe kontributit të gjithanshëm të gruas kosovare gjatë luftës së vitit 1998-1999. Ky memorial që ndodhet për karshi obeliskut “New Born”, nuk po tërheq vëmendjen e qytetarëve sikurse memorialet e tjera. Edhe një herë shoqëria po shkel mbi dhimbjen dhe vuajtjen e rreth 20 mijë femrave.
Nga etja e komandantëve dhe përkrahësve të tyre për të treguar lavditë dhe heroizmat që nuk i kishin bërë, u harruan (ndoshta edhe me qëllim) krimet më çnjerëzore serbe, vrasjet e civilëve, të grave, pleqve, fëmijëve, dhunimet më monstruoze të grave dhe vajzave dhe djegia e tërë Kosovës.

Comments are closed.