Hoti para deputetëve: Kishim vetëm dy mundësi që t’i përgjigjemi koronavirusit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është duke raportuar në Kuvendin e Kosovës për situatën me koronavirusin në vend.
Në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti, është duke raportuar para deputetëve, në lidhje me veprimet që ka marrë qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirsuit, raporton lajmi.net.
Hoti ka thënë se duke e parë që javëve të fundit është rritur numri i të infektuarve dhe të vdekurve me koronavirus, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendime të reja gjatë mbledhjes të së hënës.
Ai ka thënë se kishin vetëm dy mundësi që t’i përgjigjeshin COVID-19.
“Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes tonë kishim dy mundësi se si t’i përgjigjemi kësaj gjendje të krijuar nga COVID: E para ishte që të nxisim qytetarët tanë të ruajmë distancën, të mbajnë maskën dhe të përkujdesen për higjienën e tyre personale, të obligojmë administratën publike dhe sektorin privat që t’i përmbahen me korrektësi masave mbrojtësi që ne i kemi përmbledhur në manual dhe të përkrahim sistemin tonë shëndetësor dhe atë monitorues me profesionistë shtesë. Mundësia e dytë ishte që të mbyllim sërish njerëzit në shtëpitë e tyre duke ndaluar sërish punën dhe ekonominë”, ka thënë Hoti.
Hoti para deputetëve ka theksuar se për të gjithë qytetarët e Kosovës bartja e maskave është obliguese dhe ajo duhet të bëhet si në ambiente të hapura ashtu edhe të mbyllura.
“Obligimi i të gjithë banorëve të mbajnë maska në të gjitha ambientet e hapura dhe të mbyllura, duke përjashtuar vetëm ambientet e banimit”, theksoi Hoti, raporton më tutje lajmi.net.
Ai po ashtu ka treguar edhe për vendimet e tjera që ka marrë sot Qeveria e Kosovës, ku ndër të tjerash ndalohet edhe tubimi i më shumë se pesë persona, ndalimi i funksionimit të çerdheve publike dhe private, me ç’rast theksoi se e kanë liruar njërin prind nga puna.
Kreu i ekzekutivit tha po ashtu se ndalohet edhe puna me orar të plotë në gastronomi, qendra tregtare. Kurse bëri të ditur se ndalohen atraksionet sportive e kulturore në ambiente të mbyllura. Po ashtu ndalohen edhe tubimet dhe ceremonitë fetare si dhe tregjet publike të veturave dhe kafshëve.
Hoti bëri të ditur po ashtu se janë gjithsej tetë komuna në të cilat ka kufizim të lëvizjes së lirë nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit. /Lajmi.net/