Sveçla: Sulmet ndaj policëve në veri ishin orkestruar në Beograd

291

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka deklaruar se integriteti i Kosovës është i pacenueshëm dhe i patjetërsueshëm.

Ai tha se për këtë janë zotuar dhe do të punojnë me ngulm.

“Një vit më parë nuk kishim situatën me të cilën po përballemi tani. Ne nuk e parashikuam luftën, por për ne ka qenë e qartë se duke pasur një fqinjë që ka pretendime të hapura territoriale ndaj Kosovës, mbështet grupet kriminale dhe punon për destabilizim të rajonit, forcimi dhe më shumë i institucioneve dhe rritja e vigjilencës është e pashmangshme. Ne nuk i gëzohemi kësaj qasje dhe jemi të përcaktuar të shtyjmë përpara parimet e lirisë, demokracisë e respektimit të të drejtave dhe ligjit.Institucionet e sigurisë dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit do të vazhdojë të ketë vëmendjen tonë të shtuar.Kjo për të forcuar sigurinë dhe zhvillimin tonë nga brenda.”,tha ministri Sveçla.

Ai gjithashtu tha se Kosova vazhdoi të mbështesë Ukrainën dhe të sanksionojë Rusinë, ashtu siç kanë bërë edhe të gjitha shtetet e tjera demokratike.

Sveçla theksoi se Serbia ndryshe nga të gjithë asnjëherë nuk doli kundër Rusisë.

“Edhe ne tashmë si eksportues të sigurisë jemi pjesë e angazhimit të vendeve demokratike që të mbrohet sistemi i vlerave, qoftë me sanksione ndaj Rusisë dhe gjithë atyre që janë pjesë e këtij agresioni të padrejtë ndaj Ukrainës, por edhe duke ofruar strehim për 20 gazetarë dhe familjarët e tyre.Si dhe ofrimin e të gjitha kapaciteteve tona në strehimin e 5 mijë refugjatëve të Ukrainës.Provokimet ruse vazhdojnë të jenë aktive edhe sot, por hapure dhe në shtator të kaluar kur në veri të vendit ishte kërcënuar situata kur u vendos reciprociteti për targat.”, shtoi ministri Sveçla.

Duke folur për rastet e fundit ku zyrtarët policorë të Kosovës u sulmuan disa herë radhazi në veri të vendit, Sveçla tha se beson se këto sulme janë të orkestruara nga Beogradi.

“Ambasadori i Rusisë në Serbi dhe atashehu ushtarak në Beograd vizituan pikën kufitare në Jarinje duke inkurajuar kështu dhunën që po zhvillohej në këto dy pika kufitare. Një seri sulmesh kriminale ndodhën në veri të vendit gjatë muajit të kaluar, në afërsi të Zubin Potokut dhe Bërnjakut. Unë besoj se këto sulme patën qëllim të minojnë punën e policëve dhe të rrezikojnë jetën e tyre e të frikësojnë qytetarët. Fatmirësisht asnjëra nga këto nuk ndodhi, por mbështetja e grupeve kriminale nga Beogradi vazhdon të paraqes kërcënim për stabilitetin dhe paqen tonë. Ne me vëmendje po përcjellim çdo zhvillim, më shumë se kurrë kërkohet një vigjilencë e shtuar nga organet e sigurisë. Të gjitha këto aktivitete ishin të orkestruara nga Beogradi dhe nuk paraqesin qëndrimet e shumicës së komunitetit serb që jetojnë në Kosovë. Përkundër këtyre sulmeve, MPB mbetet e përkushtuar që të mbështes institucionet e sigurisë.”,theksoi ai./Lajmi.net/

Comments