Limaj i hapur për bisedime me Kurtin, por fillimisht kërkon largimin e Dimal Bashës

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, është shprehur i gatshëm për takime e bisedime me Albin Kurtin.
Ai tha se kur është për tema nacionale, nuk duhet të ketë pengesa.
“Ne në një kohë kemi qenë të kritikuar shumë, dhe shpesh pa arsye, sepse nuk është kuptuar për çka po flasim. Brenda 24 orëve, kur më thërret Kryeministri i vendit tim, qoftë ai nga opozita apo nga pozita, për tema nacionale, unë jam aty, sepse nuk kam një Kosovë rezervë”, është shprehur Limaj në Rubikon të Klan Kosovës.
Ai tha se politikën nuk e bën me inate personale. “Nëse nuk jam unë që po i vendos gjërat, kur ka tema nacionale, prapë unë ulem në tavolinë”.
Limaj tha se a pajtohet në ato diskutime është temë tjetër, por është jetike që të marrë pjesë.
“Edhe sot po e them: për çështje nacionale, kurdo që të më ftojë Kryeministri i vendit tim – kushdo qoftë ai që ka mandatin legjitim nga ky popull, unë ulem në tavolinë.
“A pajtohemi apo jo, është temë tjetër”.
“Unë shkoj, i mbroj qëndrimet e mia dhe mundohem të jap këshillat e mia, sepse jemi duke folur për të njëjtën tokë, për vendin tonë”, u shpreh kreu i Nismës Socialdemokrate.
Por, Limaj po insiston në largimin e Dimal Bashës nga pozita e kryetarit të Kuvendit.
“Për mua z. Basha nuk është kryetar i Kuvendit. Nuk e pranoj. Ai është i zgjedhur që të jem i qartë, unë nuk e pranoj për kryetar të Kuvendit. Nuk kam asgjë me personin privat të tij, por këtu duhet të kemi një standard”, deklaroi Limaj në Klan Kosova.
Limaj tha se kjo është hera e parë që ai nuk e pranon një udhëheqës të një institucioni.
“Duhet të kthehet gjendja në normalitet, ose përmes dorëheqjes, ose përmes shkarkimit. Sepse, kurdo që të mblidhet Këshilli i Sigurimit, ky njeri do të përdoret në tavolinë,” u shpreh Limaj.
Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për një deklaratë të zakonshme apo ndonjë postim në rrjete sociale, por për një punim shkencor të mirëfilltë.
“Kryetari i Kuvendit ka bërë një punim shkencor. Është një dokument i menduar nga një intelektual, të cilin Kosova ka pranuar ta ketë në krye të Kuvendit. Kjo është hipokrizia për të cilën po flas. Ai zotëri duhet të dalë dhe të japë dorëheqje dhe duhet të jetojë me gabimin e tij,” përfundoi Limaj.
Mbetet të shihet nëse VV-ja mund të arrijë marrëveshje koalicioni me Nismën, pas aktgjykimit të Gjyktatës Kushtetuese, i cili konstatoi se Kuvendi nuk është i konsituuuar.