Kosova arrin finalen e “King Challenge” në Jordani me njësitë speciale

122
fresco

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës po përfaqësojnë vendin në një garë prestigjioze ndërkombëtare të njësive elitare policore dhe ushtarake, e cila po mbahet në Qendrën e Trajnimeve Speciale “King Abdullah” në Jordani.

Sipas njoftimit të policisë, falë performancës së shkëlqyer, ekipi kosovar ka arritur të futet në fazën finale të garës “King Challenge”, ku garojnë 15 ekipet më të suksesshme nga e gjithë bota.

“Pjesëmarrësit po garojnë në disiplina me shkallë të lartë vështirësie dhe preciziteti taktik, si gjuajtje me armë të tipeve të ndryshme, marshime me pesha të rënda, si dhe ushtrime të ndërlikuara që kërkojnë koordinim të lartë, qëndrueshmëri fizike dhe aftësi strategjike”, thuhet në komunikatë.

Në këtë garë, është thënë se njësia elite e policisë ka shfaqur profesionalizëm dhe rezultate pozitive në fusha të ndryshme karshi policive të shteteve të ndryshme ndërkombëtare.

Këtë vit, në garë po marrin pjesë 38 ekipe nga shtete të ndryshme të botës.

Comments