Hamza Nuhiu largohet nga Aleanca për Shqiptarët, akuza për nepotizëm dhe përjashtim
Hamza Nuhiu largohet nga Aleanca për Shqiptarët, akuza për nepotizëm dhe përjashtim
Hamza Nuhiu ka njoftuar largimin e tij nga partia Aleanca për Shqiptarët, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës së funksionimit të brendshëm.
Në një reagim publik, ai theksoi se për vite me radhë ka kontribuar në terren dhe ka sakrifikuar për një ide që, sipas tij, sot nuk e njeh më. Nuhiu akuzoi strukturat partiake për mungesë meritokracie, duke pretenduar se në vend të vlerave janë favorizuar interesat e ngushta dhe nepotizmi.
Ai shtoi se është anashkaluar jo për mungesë aftësie, por për shkak se nuk ka qenë “i manipulueshëm”, ndërsa kritikoi edhe shpërblimin e personave që i quajti “parashutistë”.
Postimi i plotë:
Përshëndetje të gjithëve, unë jam Hamza Nuhiu, dhe sot po flas pa filtra.
Për vite me radhë kam dhënë gjithçka nga vetja për një ide që besoja se do sillte ndryshim.
Kam qenë në terren kur të tjerët nuk dukeshin askund. Kam ndërtuar, kam organizuar, kam sakrifikuar kohë, energji dhe besim jo për interesa personale, por për një kauzë që sot fatkeqësisht nuk e njoh më.
E vërteta është kjo, në momentin që fillon të punosh realisht dhe të fitosh besimin e njerëzve, bëhesh i padëshiruar për ata që nuk duan konkurrencë, por servilizëm.
U premtua meritokraci u praktikua nepotizëm.
U fol për vlera u vendosën interesa të ngushta.
U kërkua përkushtim u shpërblyen “parashutistët”.
Unë u anashkalova jo sepse nuk isha i aftë, por sepse nuk isha i manipulueshëm.
Kam heshtur gjatë.
Kam pranuar padrejtësi me shpresën se gjërat do ndryshojnë.
Por sot e kam të qartë heshtja vetëm sa i forcon ata që e kanë kthyer politikën në pronë private.
Nuk jam këtu për të bërë teatër politik.
Nuk jam as për të kërkuar mëshirë apo favore.
Jam këtu për të thënë të vërtetën time.
Sot me shumë keqardhje, largohem nga Aleanca për Shqiptarët.
Jo si i humbur, asesi, por si dikush që refuzon të bëhet pjesë e një loje të padrejtë.
Dinjiteti im nuk është në shitje.
Kontributi im nuk fshihet.
Dhe e ardhmja ime nuk varet nga ata që kanë frikë nga njerëzit që punojnë.
Kjo është vetëm fillimi.
