A MUNDEJ MAQEDONIA TË EVITONTE KRIZËN?! DEPUTETËT E PARË KËRKOJNË VETËDIJËSIM TË POLITIKANËVE



Kriza politike, është pasojë e një neglizhence të gjatë dhe të vazhdueshme e interesave shtetërore dhe të qytetarëve nga ana e partive politike, vlerësoi deputeti Branko Arsovski. Në rrethana të këtilla, sipas tij, kriza ishte e pashmangshme. Megjithatë, kriza nuk i dëmton elitat politike, por siç thotë Arsovski, atë më shumë e ndjejnë qytetarët, tek të cilët çdo ditë e më shumë rritet mosbesimi dhe dyshimi ndaj shtetit dhe institucioneve të tij.
„Nëse mbizotëron elitizmi në shtet, parti apo familje, atëherë nuk ka marrëdhënie të barabarta dhe humben vlerat dhe vetitë për shtet të mirë dhe parti të mirë. Prandaj apeloj deri te liderët e tanishëm dhe të ardhshëm, të vetëdijesohen dhe t’i përmirësojnë vlerat të cilat mund ta zbukurojnë këtë shtet të mrekullueshëm dhe qytetarët e saj, si dhe t’i kushtojnë vëmendje më shumë qytetarëve e jo interesave personale”, u shpreh Branko Arsovski, nga Partia Socialiste.
Nëse Maqedonia nuk del tani së shpejti nga kjo krizë politike, ekziston rreziku të ngecë thellë në gropë dhe pa gjasa për përmirësime, vlerësoi ish-deputeti i VMRO-DPMNE-së, Lambe Arnaudovski. Ai gjithashtu, tha se shteti mund ta tejkalojë krizën vetëm me zgjedhje të besueshme në dhjetor. Në të kundërtën, siç tha, nuk anashkalohet mundësia edhe Bashkimi Evropian ta tërheqë mbështetjen ndaj Maqedonisë.
„Kur Bashkimi Evropian dhe NATO t’i ngrenë duart prej neve, nuk e di e as nuk dua ta paramendoj se çfarë do të ndodhë me ne. Mendoj se për ne si shtet, ky është paralajmërimi i fundit. Në këtë gjendje që jemi, nëse Maqedonia nuk e pranon këtë lojë, kam vetëm një dilemë, a do të jetë Maqedonia një mbetje e një sërë mbetjeve apo një sërë mbetje e një mbetjeje të vetme”, tha Llambe Arnaudovski, Ish Deputet i VMRO-DPMNE.
Deputetët e përbërjes së parë parlamentare thonë se edhe pse kanë qenë në parti të ndryshme dhe me ideologji të ndryshme, ata kanë vepruar në mënyrë të unifikuar kur bëhej fjalë për interesat e qytetarëve dhe shtetit. Para 25 viteve, siç thonë ata, kanë punuar në kushte më të rënda, por gjithmonë e kanë arritur qëllimin, respektivisht të krijojnë shtet të pavarur dhe sovran.