Administrativja shqyrton paditë për zgjedhjet

Gjykata Administrative po shqyrton paditë e Koalicionit të kryesuar nga LSDM, të ngritura kundër vendimeve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor rreth kundërshtimeve të këtij koalicioni për procesin zgjedhor.
Përkatësisht, Gjykata po shqyrton padinë që ka të bëjë me vendvotimin 1978 në komunën e Tetovës dhe padinë për kundërshtimin e refuzuar nga KShZ-ja, e që ka të bëjë me vendvotimin 2025 në komunën e Tearcës.
Paditë i shqyrton Këshilli pesëanëtarësh i Gjykatës, i përbërë nga gjykatësit: Vesna Jovanovska, Burim Sejdini, Aneta Xhigerova, Gjoko Zhivkovski dhe Dragosllav Radiçevski.
Koalicioni i kryesuar nga LSDM njoftoi se ka parashtruar katër padi kundër vendimeve të KShZ-së, ndërkaq VMRO-DPMNE ka parashtruar një padi.
Lëvizja BESA bëri të ditur se nuk do të ngre padi deri te Gjykata Administrative rreth vendimeve të KShZ-së, e cila hodhi poshtë shtatë nga tetë kundërshtimet e tyre për procesin zgjedhor.
Ndryshe, KShZ-ja pranoi vetëm një ankimim të Lëvizjes BESA dhe anuloi votimin në një vendvotim në Gostivar, ndërsa hodhi poshtë gjashtë ankimimet e parashtruara nga Koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja.
Pas pranimit të padive, Gjykata Administrative ka afat prej 48 orëve që të marrë vendim.
Vendimin duhet ta publikojë në ueb-faqe, në afat prej 24 orëve. Vendimet e publikuara në ueb-faqe do të përmbajnë edhe mënyrën e votimit të çdo gjyqtari individualisht.
Vendimi i Gjykatës Administrative është vendim përfundimtar.
Nëse do të ketë rivotim në ndonjë vendvotim, atëherë rivotimi do të mbahet më 25 dhjetor, nëse jo atëherë, KShZ shpall rezultatet përfundimtare dhe mandatet që kanë fituar subjektet politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.


Comments are closed.