Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit pengoi copëtimin e Maqedonisë
Në Maqedoni ka nisur sot përkujtimi i 15-vjetorit të marrëveshjes historike të Ohritqë i dha fund luftës midis shqiptarëve dhe qeverisë maqedonase.
Megjithëse shumë nga pikat e marrëveshjes nuk zbatuar ende, për kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, kjo marrëveshje bëri të mundur që Maqedonia të mos copëtohej.
Në një aktivitet për këtë çështje në Kodrën e Diellit në Tetovë,Ahmeti deklaroi para të pranishmëve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian penguan një Srebrenicë të dytë në Ballkan.
“Vitet e 90-ta kur ndryshohej kushtetuta, shqiptarët nuk u përfillën, kërkonin arsim të lartë apo simbole kombëtare dhe shtypeshin me gjak, nuk kishte sesi që të ndodhë ajo që ndodhi.
Por në këtë situatë ne kemi një moment shumë të rëndësishëm sepse SHBA-të dhe BE e kishin kuptuar një të vërtetë të madhe dhe në Maqedoni u jemi mirënjohës NATO-së që ndërhyri në momentet e para kur mund të shkonim në momente të pa kthim pas apo gjakderdhjes dhe të përsëritej Bosnja apo Srebrenica në këto hapësira. Mirënjohës NATO-s dhe misionarëve nga të gjithë, jo vetëm ne shqiptarët, por edhe maqedonasit, vllehët që na shpëtuan nga një tragjedi ku rrezikohej ndarja dhe copëtimi i vendit”, ka thënë Ahmeti.
Ai gjithashtu tha se ka ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim.