Banorët e Hasanbegut: Numrat e Ministrisë janë të paarritshëm
Banorët e Hasanbegut ankohen se numrat që ka lënë në dispozicion Ministria e Financave për paraqitjen e të dhënave të personave që kanë qenë të evidentuar nga ana e Komisionit për vlerësim të dëmeve, janë të paarritshëm.
Gjatë vizitës që Televizioni SHENJA realizoi sot në këtë lagje ata kanë informuar se nuk mund të kenë qasje te këto numra. Ndërkohë, me qëllim që të kryhet pagesa e paradhënies së ndihmës në para e personave nga rajonet e përfshira me përmbytjet, të cilat ndodhën më datën 6-të të këtij muaji, Ministria e Financave u bën thirrje personave që kanë qenë të evidentuar nga ana e Komisionit për vlerësim të dëmeve të japin njoftim se në cilën bankë afariste duan t’u paguhen kompensimet në para.
Siç informojnë nga Ministria e Financave, paraqitjet duhet të bëhen sot, nesër dhe pasnesërm ndërsa pagesa e mjeteve do të bëhet në para të gatshme, në sportelet e asaj banke afariste për të cilën personi do të përcaktohet. Bankat do ta bëjnë pagesën në bazë të dokumentit për identifikim – letërnjoftimit apo pasaportës.