BËRNJARCI I VËRSHUAR, POR PA VIKTIMA, QË NGA DITA E STUHISË KANË MBETUR PA UJË DHE PA RRYMË

268

 

Fshatin Bërnjarcë e ndan në dysh kjo përroskë, e cila nga vërshimet e së shtunës mbrëma, për pak sa nuk solli fatkeqësi. Tmerrin e përjetoi edhe Boban Spasovski, i cili ishte duke kaluar urën e vetme të këtij fshati. Ai thotë se uji erdhi furishëm nga lart duke marr gjithçka që i dilte para. Boban shpëtoi, duke na treguar këtë veturë të shkatërruar që ia mori lumi i vërshuar.

“Për fat, po të kaloja vetëm 10 minuta më vonë këtej fatkeqësia do të ishte më e madhe. Uji ishte shumë i madh dhe i furishëm çka u frikësuam se do të na marrin edhe shtëpitë. Fatmirësisht, erdhi duke rënë niveli i ujit pas atyre momenteve trishtuese”, u shpreh Boban Spasovski, banor.

Edhe më keq e ka pësuar Mile Ilievski, të cilit i është shkatërruar shtëpia e vjetër nga vërshimet e vrullshme. Ai na tregon se si fuqia e ujit ka hapur një vrimë të madhe në mure duke depërtuar nëpër shtëpi. Oborri dhe kopshti i familjes Ilievski është i mbushur nga rëra masive e gurët e mbetur nga vërshimet.

“Fuqi me të madhe se kjo nuk është parë. Ky vend ishte i tëri i kultivuar. Në këtë shtëpi jetojmë verës ku kishim gjithë inventarin, por tani nuk ka mbetur asgjë. Tjetër s’kam çfarë të them, më keq se kështu  nuk ka. Nga këtu gjithë uji që është në fushë ka kaluar përmes shtëpisë sime”, tha Mile Iliesvski, banor.

Në fshatin Bërnjarcë kanë dalë komisionet e vlerësimit të dëmeve materiale, sipas të cilëve më së shumti dëme ka pasur në  sistemin e ujësjellësit, kulturave bujqësore dhe automjeteve që kanë qenë përreth përroskës. Që nga koha e stuhisë, fshati Bërnjarc ka mbetur pa energji elektrike, pa ujë të pijshëm dhe pa linjë telefonike.

Comments