Bien fasadat nga ndërtesat në Çair, banorët ndihen të rrezikuar (Foto)



Vetëm disa muaj pasi është rinovuar, ka filluar të bie fasada e një ndërtese në lagjen Fushë Tophanë në Çair të Shkupit. Banorët e kësaj ndërtese, përveç që ankohen se janë mashtruar nga realizuesi i punës të cilit i kanë paguar nga 600 euro, kanë frikë edhe për sigurinë e tyre, sepse fasada ka filluar të bie nga kati i nëntë i ndërtesës.
“Me këtë tekst ndoshta edhe mund të shpëtojmë ndonjë jetë. Tash e disa muaj, fasada e re e këtij muri te kësaj ndërtese ku banoj është rrezuar. Po ma merr mendja se Komuna e Çairit duhet ta zgjidhe urgjentisht problemin, përmes ndonjë inspektorati përkatës. Ka disa muaj qe paguam nga 600 euro për rinovimin e fasadës dhe për një kohe të shkurtër, ajo u shemb. Për fat të mire, askush nuk ka pësuar, por e lus ndonjë organ përkatës që të intervenojë në rrugën Metodija Mitevski para se të ndodhë ndonjë tragjedi”, thotë për Gazetën Lajm, Enver Gashi, i cili banon në këtë ndërtesë.