Lëvizja BESA: Në njëvjetorin e vërshimeve, Tetova mbetet e vërshuar nga premtimet e kota (FOTO)



Sot (më datë 03.08.2016) po bëhet një vit qëkur Tetova dhe qytetarë e Tetovës përjetuan një tmerr nga vërshimet që morën me vete 5 viktima dhe lanë pas vetes dhjetëra të lënduar, si dhe infrastrukturë të dëmtuar e fëmijë, gra e pleq të traumatizuar.
Megjithatë, përkundër premtimeve që u dhanë vitin e kaluar nga pushteti lokal dhe qendror, qytetarët e Tetovës mbeten të zhgënjyer, të pafuqishëm dhe të lodhur. Kur shohim kryetaren e Komunës, Teuta Arifi, që del e mburret se e ka bërë pagesën e dëmeve ndaj banorëve, kjo në vlerë prej 400 mijë euro, ndërsa pas një jave edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, ish- kryeministri Nikolla Gruevski, shkon në fshatin Shipkovicë po ashtu me lëvdata se ka bërë pagesën e dëmeve (sikur ky të ishte veprim që pritej nga partia e tij), kjo të detyron të dyshosh se ata dy kanë një qendër menaxhimi.
Andaj, që të jemi korrektë me qytetarët, si dhe me këta dy politikanë, që me deklarimet e vizitat e tyre dëshirojnë ta defokusojnë vëmendjen e opinionit, Departamenti i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Lëvizjes BESA i njofton qytetarët dhe opinionin se ende nuk është pastruar shtrati i lumit Shkumbin, as digat mbrojtëse, ndërsa nuk është bërë as sanimi i dëmeve në infrastrukturën tjetër. E mos të flasim për masat preventive për parandalimin e dëmeve të tilla në të ardhmen.
Njëkohësisht ua përkujtojmë se :
- Lista prej 373 personave, të cilëve duhej t’u kompensohet dëmi, nuk është reale, pasi që një numër prej mbi 30 familje nuk janë përfshirë në këtë listë;
- Qeveria ka refuzuar në mënyrë unanime kërkesat e mbi 30 familjeve që aplikuan për së dyti për t’u futur në listën e atyre që do të duhej t’u kompensohet dëmi;
- As kompensimi nuk ka qen real, sepse dëmet janë shumë më të mëdha në krahasim me kompensimin .
- Kryetarja e Komunës premtoi se do ta sanojë rrugën e lagjes “Dardania”, që e lidh me xhaminë e lagjes, por kjo nuk u bë. Andaj qytetaret e kësaj lagje u detyruan ta bëjnë këtë me vetiniciativë (shih fotot në vazhdim!)
Nisur nga kjo, kur politikanë rrahin gjoksin e mburren se bëjnë punë, ndërsa populli e vuan dhe trishton nga secila reshje shiu, duam të tërheqim vërejtjen se kjo është papërgjegjësi e madhe, e cila nuk do të mbetet pa u ndëshkuar nga votuesit shqiptarë të Tetovës.
Ndërkaq, në kohën që BESA do ta ketë pushtetin qendror dhe lokal, premton se premtimet nuk do t’i ketë fjalë boshe e slogane parazgjedhore, por detyrim që patjetër duhet të përmbushet.