Dimitrov: Maqedonia e Veriut përfundimisht dhe pa kushte i fillon negociatat për anëtarësim në BE

563

Përkundër rrethanave të jashtëzakonshme të shkaktuara nga situata e koronavirusit, ne vlerësojmë veçanërisht që BE-ja ka gjetur kohën dhe vullnetin për të pranuar me besueshmëri atë që është bërë deri më tani. Maqedonia e Veriut, pas 15 vjetësh në pritje si vend kandidat edhe pas zhgënjimeve në qershor të vitit 2018, qershor të vitit 2019 dhe tetor të vitit të njëjtë, më në fund e kalon pragun dhe mund të fillojë fazën tjetër të merituar të rrugës së saj evropiane.

Këtë e tha shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov në konferencën e përbashkët për media në Qeveri me kryeministrin Oliver Spasovski dhe Zëvendëskryeministrin për eurointegrime Bujar Osmani, pasi sot Këshilli i Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së arriti propozim konkluzion për fillimin e negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Tani e tutje edhe ne do të kemi një pikë fillestare nga ku do ta matim kohën, nga kur fillojmë konkurrencë pozitive me të tjerët në zbatimin e reformave dhe në miratimin e standardeve evropiane. Deri tani por edhe nga tani e tutje edhe më shumë varet nga ne. Maqedonia e Veriut përfundimisht dhe pa kushte i fillon negociatat për anëtarësimin në BE”, tha Dimitrov.

Ai theksoi se Këshilli pa dyshim konfirmoi se Maqedonia e Veriut kishte arritur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme për sa i përket reformave dhe e ftoi KE-në që menjëherë të përgatisë një kornizë negociatash ndërsa konferencën e parë ndërqeveritare ta thërras sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të kornizës negociuese. Në të njëjtën kohë, shtoi Dimitrov, Këshilli fton Komisionin të përfundojë procesin e skriningut, duke filluar me grupin e vlerave themelore.

“Do të doja që ju, qytetarë të Maqedonisë, qytetarë të Republikës sonë, në këto periudha sfiduese, t’ju përgëzoj nga zemra për suksesin, por edhe t’ju kujtoj: Vendimi i Këshillit nuk erdhi lehtë, dhe as nuk na u dhurua. Ne dhe ju, së bashku me mund dhe sakrificën, kemi merituar shansin të tregojmë se i përkasim familjes evropiane”, tha ministri Dimitrov.

Ai theksoi se para vendit kishte shumë përvoja jo të këndshme dhe ndryshime të qëndrimeve, por ne kaluam në një rrugë të vështirë reformimi në rrethana të jashtëzakonshme kur duhej ta rikuperojmë shtetin e robëruar ligjor. Ne kemi lidhur, tha Dimitrov, Marrëveshjen e Prespës dhe kemi miratuar ndryshime kushtetuese me pengesa brenda dhe jashtë, e cila nuk ishte e thjeshtë, por treguam vizion, arsye dhe guxim politik.

Ai paralajmëroi se rruga e mëtutjeshme do të jetë edhe më e vështirë, ndërsa prej nesh do të varet sa shpejtë dhe si do ta kalojmë rrugën deri në ditën e anëtarësimit të plotë në BE.

“Por sot është një dritë shprese që mundemi dhe arritëm dhe askush nuk mund ta marrë nga ju. Urime për suksesin tuaj. Shpresoj se të gjithë së bashku mund ta tejkalojmë sfidën e pandemisë me koronavirusin. Urime atdhe, urime popull”, deklaroi Dimitrov.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetare, Dimitrov tha se negociatat janë një lloj trajnimi për të qenë më të mirë me ndihmë më të madhe ekspertësh dhe financiare dhe më e rëndësishmja të përdoret ky mjet në këtë fazë që të bëhemi një demokraci evropiane me të gjithë parametrat, dhe sa kohë do të zgjas procesi varet nga të gjithë ne, nga kjo qeveri, nga qeveria e ardhshme. .

Comments