E pabesueshme çfarë është duke ndodhur me Kombëtaren shqiptare (FOTO)

326

 

Për të transportuar basketbollistët në transfertat e ndryshme, drejtuesit e FSHB-së duket se janë merakosur vetëm për të gjetur biletën më të lirë.
Ndonjëherë krijohen situata komike dhe të panevojshme me udhëtimet. Kjo ka ndodhur pas kalkulimeve që ka bërë Federata Shqiptare e Basketbollit, për rezervimet me ekipin tonë kombëtar.

Për të transportuar basketbollistët në transfertat e ndryshme, drejtuesit e FSHB-së duket se janë merakosur vetëm për të gjetur biletën më të lirë, pa menduar tranzitet e gjata nëpër aeroporte dhe faktin se ekipi mund të vijë i lodhur në ditën e ndeshjes. Përjashtim nuk ka bërë as rikthimi i përfaqësueses nga Sllovakia.

Kësaj radhe ishin vetë lojtarët kuqezi që kanë ironizuar mbi këtë fakt, duke postuar në profilet e tyre në “Facebook” një foto nga aeroporti i Vjenës. Aty shihet qartë se avioni i linjës Vjenë-Tiranë nisej në orën 12:45, në të njëjtin orar që nisej edhe ai i linjës Vjenë-Podgoricë. Drejtuesit e FSHB-së në vend që të zgjidhnin opsionin e parë, kanë preferuar të dyti, shkruan “Panorama Sport”, përcjell “Lajmi.net”.

Për të mbërritur në kryeqytet, ekipi kuqezi më parë zbarkoi në Podgoricë dhe më pas mori autobusin që e transportoi deri në Tiranë, kur mund të kursente të gjithë këtë lodhje, pasi ekziston një linjë direkte që lidh kryeqytetin tonë me atë të Vjenës.

Mirëpo, sërish është zgjedhur rruga e “biletës së lirë” dhe jo ajo e komoditetit, siç ndodh rëndom gjatë viteve të fundit. Duke mbërritur në këtë pikë është e shpjegueshme pse lojtarë si Bushati, Ndoja dhe Kuqo, të cilët luajnë jashtë vendit, nuk pranojnë ftesën për t’iu bashkuar përfaqësueses.

Udhëtimet rraskapitëse
Që në ndeshjen e parë të kualifikueseve në “Euro 2017”, ajo që ra në sy ishte udhëtimi i gjatë që iu desh të përballonte ekipit të Kostandinidesit. Pasi iu deshën 12 orë për t’u rikthyer nga miqësorja kundër Estonisë, ku lojtarët e ekipit kombëtar fjetën nëpër stolat e terminalit të Stambollit, Shqipërisë iu nevojit i njëjti afat kohor për të udhëtuar drejt Gjeorgjisë, teksa skuadra mbërriti në Tbilisi vetëm në ditën e ndeshjes.

Ndërsa për sfidën e nesërme, Gjeorgjia ka mbërritur që ditën e djeshme në Tiranë, ku do të qëndrojë për dy ditë e akomoduar në hotel. Miqtë dje kanë kryer dy seanca stërvitore në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, teksa sot kanë në program edhe seancën e fundit në orën 18:00.

 

Comments