Erdogan: Të kemi durim deri në fund të vitit dhe më pas të drejtohemi tek populli

17:17, 14 Nëntor 2016
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në një fjalim të mbajtur në takimin “Projekti Kombëtar Bujqësor” i zhvilluar në Qendrën Popullore të Kongreseve dhe të Kulturës Bestepe në Ankara tha se “deri më tani nuk kemi lënë dhe nuk do ta lëmë përtokë gjakun e dëshmorëve.
Tashmë i ka tejkaluar dimensionet e saj që çështja të diskutohet, ta lëmë apo jo. Do të japim një përgjigje të atillë ndaj çdo sulmi të kryer kundër Turqisë dhe popullit turk dhe ndaj çdo tentative tradhtare, që askush jo vetëm të kryejë tentativë për grusht shteti, por as të mos e mendojë një gjë të tillë”, raporton Anadolu Agency.
“Turp për ne nëse nuk i japim përgjigjen e duhur organizatës terroriste që vret ushtarët, policët, zyrtarët lokalë, kryetarë të bashkive, punonjës të administratës dhe qytetarët, si dhe ndaj të gjithë atyre që ndihmojnë terroristët dhe ofrojnë mbështetje ndaj tyre”, ka theksuar në fjalën e tij Presidenti Erdogan.
Duke vënë në dukje se janë në dijeni që pas çdo organizate terroriste qëndrojnë forca të ndryshme, Erdogan tha se “Sigurisht që ata që bëjnë këto plane mbi tryeza ata ngaqë nuk e njohin popullin tonë, nuk mund ta kuptojnë pse po dështojnë në planet e tyre në Turqi, teksa në vende të tjera funksionojnë perfekt. Ata nuk e dinë se ky popull është një popull i shenjtë, është një popull i lartësuar.”
“Të kemi durim deri në fund të vitit dhe më pas ti drejtohemi popullit”
Ndërsa në lidhje me negociatat për anëtarësimin në BE, Erdogan është shprehur se “Ngrihen e i drejtohen Turqisë se ‘Mund të ndalohen negociatat në lidhje me Bashkimin Evropian’.
Keni mbetur vonë, jepni menjëherë vendimin tuaj. Këtu ndodhen të pranishëm kryeministri dhe ministrat. Edhe unë si president shprehem që të bëjmë durim deri në fund të vitit dhe më pas ti drejtohemi popullit.”