Familja Ismaili kërkon ndihmë, dy të paralizuara kanë mbetur pa strehë mbi kokë



Si shumë familje të tjera që pësuan nga vërshimet në Hasanbeg, pësoi edhe familja Ismaili, e cila humbi gjithçka që pati transmeton TVM2.
Nga shtëpia i kanë mbetur muret e plasaritura që janë pa dyer dhe dritare. “Fatkeqësitë na kanë goditur njëra pas tjetrës dhe ne ua kemi hapur derën”,- thotë kryefamiljari, Bashkim Ismaili, të cilit iu dënuan me burg të përjetshëm dy vëllezërit, Agim dhe Afrim Ismaili, për rastin “Monstra”.
Bashkimi para këtij rasti punonte në Belgjikë si emigrant, por u detyrua të kthehet për t’u kujdesur për motrën dhe nënën e paralizuar, e cila mbeti në shtrat nga brengat për fatin e fëmijëve të saj.
“Nënën e kam të palëvizshme, të sëmurë, ajo nuk ka qenë e sëmurë, por prej rastit që na ndodhi, se unë jam vëllai i Agim dhe Afrimit, të cilët janë dënuar për rastin “Mostra”, tani nëna m’u sëmur. Unë isha duke punuar larg shtetit dhe kur mora vesh erdha t’i përgjigjem ftesës nënës, erdha këtu, por edhe motrën e kam invalid, tani na ndodhën këto që ndodhën, in-shaa-Allah mbetet me kaq”,- tha Bashkim Ismaili.
Bashkimi thotë se Komisioni për vlerësimin e dëmeve ka konstatuar se shtëpia nuk i plotëson kushtet për banim edhe duhet të rindërtohet nga e para. Ai pret ndihmë tani, pasi që kur është kthyer nga mërgimi ka mbetur pa asnjë të ardhur.
“Ka ardhur Komisioni dhe ka nxjerrë shpinë të pabanueshme. Siç po e shihni edhe vetë, muri m’u ka ça edhe në atë anë edhe në këtë anë, poshtë krejt ka plasur, se vetë toka ka lëshuar ujë prej vetes, është mbushur toka dhe betonin e ka qitur përpjetë, tani presim, se çka do të bëhet se di as vetë çka të them. Për momentin s’jam duke punuar, punës nuk i them jo, për punë jemi, por duhet me gjet njëherë dhe këtu për të gjetur nuk je as i pari as i fundit, kishte shumë edhe pa punë para meje”,- theksoi Bashkim Ismaili.
Para se të ndodhin vërshimet, Bashkimi me mund e sakrificë e hapi një lokal në Hasanbeg për të rinisur një jetë të re pranë familjarëve për të cilët duhej të kujdesej i vetëm. Por, gjithçka që ndërtoi e mori uji brenda një nate. Kjo familje, si shumë të tjera, ka nevojë për ndihmën e të gjithë ne për të rifilluar një jetë të re.