Familja Rushiti ka nevojë për ndihmën tuaj

236
Familja Rushiti ka nevojë për ndihmën tuaj

Familja Rushiti, si shumë familje të tjera, pësoi nga vërshimet, duke humbur edhe atë pak pasuri që kishte.

Për kryefamiljarin, vendbanimi është një problem shtesë, i cili ia rëndon barrën mbi supe. Aziri ka katër vajza dhe një djalë. Njëra nga vajzat vuan nga zemra me punën që bën aty-këtu, nuk arrin t’i mbulojë kontrollet mjekësore dhe barnat për të bijën, aq më pak të ndërtojë shtëpi të re.

“Muret e krisura i ka totalisht, këtu nuk ka kushte për jetesë, kjo duhet të prishet. Vajza është e sëmurë prej zemrës, në punë nuk jemi, kemi punuar vetë si kemi mundur, privat, jemi gjendur sa për të jetuar, aq”, deklaroi kryefamiljari, Azir Rushiti.

Zekija shpjegon se nuk mund të mbijetojë pa barnat dhe kontrollet e vazhdueshme. Edhe pas operacioneve të njëpasnjëshëm, gjendja shëndetësore e saj vazhdon të jetë shqetësuese. Zekija i ka mbushur 23 vjet, por për nënën e saj ajo mbetet një fëmijë i vogël për kujdes.

“Nuk mund të ec, nuk marr frymë prej zemrës, buzët më bëhen të zeza, nuk mund të rri e as të vrapoj, nuk mund të rri edhe pa ilaçet. Babai nuk ka mundësi të mi blejë ato”, tha vajza e sëmurë, Zekije Rushiti.

“Unë kujdesem për të, akoma unë e çoj në banjo, unë ia kreh edhe flokët. Kjo është shumë e dobët, nuk mundet ta durojë as ujin. Unë ashtu, burrin pa punë… E dobët ka mbetur shumë, i ka 23 vjet. Shtëpinë ashtu, s’kam kushte të kujdesem për ta… Si ta fusim këtu në këtë shtëpi, kjo është e sëmurë”, theksoi nëna e Zekijës, njofton RTVM2.

Familja shtatëantarëshe është vendosur në konviktin e studentëve, në një dhomë të vogël që nuk i plotëson nevojat e kësaj familje. Shtëpia nga Komisioni për vlerësimin e dëmeve raportohet tërësisht e shkatërruar. Ata nuk kanë mundësi ta ndërtojnë vetë pa ndihmën e bamirësve.

“E kisha lutur popullin humanitar, të ndihmojë dikush, kush ka mundësi, se kjo prej Zotit ka ardhur. Sa që ka dikush mundësi të lëshojë ndonjë denarë, i falënderoj… Unë vetë nuk mundem ta mbaroj shtëpinë. Kush na ndihmon, Zoti i ndihmoftë”, u shpreh kryefamiljari, Azir Rushiti.

Comments