Familjarët vazhdojnë të vuajnë dëmet e 6 gushtit

208
Familjarët vazhdojnë të vuajnë dëmet e 6 gushtit

Gjashtë javë pas vërshimeve, familjet nëpër rajonet e përmbytura vazhdojnë të mbeten rrugëve dhe të pastrehë.

Disa prej tyre janë kthyer në shtëpitë me mure dhe themele të plasaritura, sepse, siç thonë ata, ndjehen të tepërt tek familjarët që ka kohë që rrijnë tek ta.

Kështu është edhe për familjen Zejnuli për të cilën ditët me shi janë shumë të vështira, sepse uji hy brenda nëpër të çarat e shtëpisë të cilat janë shkaktuar nga vërshimet.

Pesë anëtarët e kësaj familje flenë në dysheme. Të vetmen pasuri e kanë një tepih, të cilin ia ka dhuruar një bamirës. Këtu fle edhe Hafza e vogël dy vjeç e gjysmë, këmbët e saj të vogla po t’i prekje ishin të ftohta akull.

“Tani si ka ardhur ky ujë, s’kemi ku të rrimë, rrimë këtu… Tani kur bie shi, uji hy prej përfundi. Ndihmë prej shtetit nuk kemi akoma, 30. 000 denarë nuk na i kanë dhënë, as nuk i japin nga 2000 apo 3000 euro siç kanë premtuar. Tash shiu para dy dite që ra, hyri uji, prapë sot ka hy. Si ka ardhur uji i madh, shtëpinë e ka dëmtuar. Prej përfundi hy uji, se aty e ka bë kanalin e vet dhe aty depërton. Sikur ta prishnim këtë shtëpi dhe të na ndihmonte shteti…”, u shpreh kryefamiljari, Ekrem Zejnuli.

Ata nuk kanë ku ta përgatisin ushqimin, as shtrat ku të flenë. Ditët i kalojnë duke ngrënë ushqime të shpejta të cilat i fërgojnë në bombol gazi. Brenga më e madhe për ata është stina e dimrit e cila po afrohet dhe duket se do t’i gjejë të papërgatitur.

-Nuk keni as teknikë të bardhë?

“Asgjë nuk kemi, as teknikë, as kuzhinë, as shporet nuk kemi, një bombol gazi e kemi, aty e bëjmë ndonjë domate, ndonjë spec e fërgon gruaja, ndonjë vezë apo ndonjë pashtetë a konservë, çdo ditë ato… Duhet me pjek bukë, por shporet të druve nuk kemi, s’kemi asgjë tani. Tani vjen edhe dimri, a ne askund nuk jemi. Na është turbulluar truri”,- theksoi kryefamiljari kryefamiljari, Ekrem Zejnuli.

Ekremi ka tre fëmijë, një djalë dhe dy vajza. Djali është 12 vjeç, vajzat 10 dhe dy vjet e gjysmë.

Për Amrën fillimviti shkollor është tepër i vështirë, sepse asaj çantën dhe fletoret që i kishte bërë gati për në shkollë ia mori uji. Madje, ajo nuk ka as rroba për të veshur në shkollë, por pret t’i sjellin të afërmit dhe familjarët.

“Nuk kam as libra e as fletore, të gjitha mi ka marrë uji. As rroba për të veshur nuk kam, asgjë. Familjarët mi kanë dhënë këto. Tezja ime, vajza e tezës time, ato mi kanë dhënë këto”- u shpreh Amra Zejnuli.

Kryefamiljari i kësaj familje edhe pse punon nga dy punë, ato para nuk i mjaftojnë as sa për të kaluar muajin nga faturat komunale e lëre më t’a ndërtojë shtëpinë, andaj ai u bënë thirrje organeve shtetërore që sa më shpejtë të bëjnë kompensimin e dëmeve materiale për vazhduar jetën normale, sepse dimri është shumë afër dhe mund t’i gjejë të papërgatitur./TVM2/

Comments