KADRIU: Nevojiten reforma të theksuara në gjyqësor

225
KADRIU: Nevojiten reforma të theksuara në gjyqësor

Kriza politike në vend, por edhe ngecjet drejt synimeve strategjike të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të lidhura ngushtë me krizën juridike, e cila, sipas analistit, Osman Kadriu, thellë në vete ngërthen korrupsionin dhe krimin e organizuar. Por, sipas tij, faktori ndërkombëtar mund të detyrojë vendet në zbatimin e kritereve të caktuara, me qëllim që të hapërojnë drejt integrimit euroatlantik.

“Pa reforma në gjyqësor nuk mund të kemi luftën e korrupsionit, nuk mund të zhvillohet përgjegjësia individuale e bartësve të korruptuar dhe të komprimituar  në shtet, që do të thotë edhe një kusht edhe për daljen e Maqedonisë nga kriza politike. Për këtë përgjegjësinë e kanë edhe BE edhe ShBA. Ata kanë mekanizma, kanë mundësi, por kanë edhe kompetenca edhe përgjegjësi që me përcaktimin e kritereve konkrete të kërkojnë që Maqedonia t’i luftojë këto dukuri tejet negative të dëmshme për shtetin, të dëmshme për qytetarët”, deklaroi profesor universitar, Osman Kadriu, njofton RTVM2.

Në këtë pikëpamje, BE dhe ShBA patjetër duhet të jenë edhe më energjik në zbërthimin dhe plotësimin e këtyre kritereve. Sipas Kadriut, me masa konkrete faktori ndërkombëtar detyroi Shqipërinë të fillojë me reformat në gjyqësor.

“Në qoftë se nuk luftohet korrupsioni, atëherë me vetë atë fakt krijohet një korrupsion i ri. Në këtë pikëpamje, BE dhe ShBA patjetër duhet të jenë edhe më energjik në zbërthimin dhe plotësimin e këtyre kritereve. BE ndërmori masa konkrete dhe me imperativë konkrete e detyroi Shqipërinë të fillojë reformat në gjyqësi dhe në Shqipëri, tash involvohet faktori i jashtëm me kompetencën e organeve të jashtme për ndërmarrjen e masave konkrete kundër gjyqësorit në Shqipëri”, theksoi profesori universitar, Osman Kadriu.

Sipas Kadriut, me një strukturë të tillë në sistemin juridik nuk ka garanci se do të mund të luftohet korrupsioni, i cili përfaqëson një sëmundje kancerogjene jo vetëm për Ballkanin, por për të gjitha shtetet e rajonit dhe më gjerë.

Comments