Hahn: BE iu jep mbështetje për reformën në drejtësi, por partitë duhet ta zbatojnë, e kërkojnë 95% e shqiptarëve

309

Një konferencë e përbashkët e Zëvendëspresidentes së BE-së, Federica Mogherini, Komisionerit Johanes Hahn dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama u mbajt menjëherë pas takimit të VIII të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit Shqipëri-BE. Ndërsa zyrtarët e lartë e vunë theksin tek zbatimi i reformës në drejtësi, kryeministri Rama tha se shpresonte tek hapja e negociatave për integrimin në BE.

“BE iu jep mbështetje për zbatimin e reformës në drejtësi. Partitë të zbatojnë reformën. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim Shqipërinë në zbatimin e saj”, tha Mogherini.

Në një mendje me të ishte edhe komisioneri Hahn kur tha se: “Kjo reformë është arritje e pabesueshme por të kuptojmë që qëllimi është të afroheni me BE por kryesoja është t’i shërbeni qytetarëve shqiptarë, t’i jepni atë që presin. Këtë reformë e kërkonin mbi 95% e shqiptarëve”, theksoi Hahn.

Ndërsa kreu i qeverisë, Edi Rama tha se në takim u konfirmua angazhimi i përbashkët për të vazhduar me intensitet në rrugën e nisur. Ai theksoi se me kalimin e ligjit të vetingut Shqipëria mund të shpresojë për rekomandimin.

“Të ecim përpara, të bashkëpunojmë më ngushtë me reformat kryesore. Shpreh besim nëse zbatimi i vazhdueshëm i reformave kryesore veçanërisht në drejtësi, që është edhe bazë për hapjen e bisedimeve reforma që ka kaluar, vetingu është një bazë solide për ta marrë rekomandimin…Shpresoj se me miratimin në korrik të amendamenteve është një argument i rëndësishëm për të dhënë rekomandimin për Shqipërinë që të përgatisë bisedimet për anëtarësim. Me ligjin e vetingut hodhëm një hap për zbatimin e refomrës. Të gjithë e dimë që drejtësia është bazë për hapjen e negociatave për anëtarësim”.

Rama drejton takimin e VIII të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit Shqipëri-BE
Në orën 11.00 nisi në Bruksel takimi i Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së, i drejtuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

Në takim referoi Zëvendëspresidentja e BE, Federica Mogherini, komisioneri për Zgjerimin Johanes Hanh, ministri Bushati, ministrja Gjosha dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit Majlinda Bregu. Në thelb të takimit ishin diskutimet mbi arritjet dhe progresin e vendit tonë gjatë këtij viti në kuadër të përmbushjes së 5 prioriteteve për integrimin. Delegacioni shqiptar kryesohet nga kryeministri Rma, të pranishëm janë dhe ministrat Klajda Gjoshaj dhe Ditmir Bushati.

Comments