Gabimi më i madh i ish- kryetarit të RFJ-së, Sllobodan Millosheviq, ka qenë se ai ka lejuar që disa vrasje të ndërlidhen me të ose me pushtetin e atëhershëm, ka deklaruar lideri i SPS-së Ivica Daçiq, zëvendëskryeministër e ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, transmeton Koha.net.
“Sipas meje, njëri nga gabimet më të mëdha të tij është në politikën e kuadrove, jo vetëm në parti e shtet, por pse ka lejuar që vrasje të ndryshme të kenë lidhje me të ose me pushtetin e atëhershëm”, ka thënë Daçiq për “Srpski telegraf”.
Veç kësaj, Daçiq pohon se me Millosheviqin është grindur kur ai ka qenë më i fortë dhe kur kishte dashur ta përjashtonte nga partia. Përkundër konflikteve, përcjell Koha.net, Daçiq është i bindur se Millosheviqi ka qenë lider i madh e jo kriminel.
“Historia do ta japë gjykimin e fundit për të, ne jemi të vegjël dhe pak kohë ka kaluar. Millosheviqi i ka bërë dy gjëra të mëdha për popullin serb: Marrëveshjen e Dejtonit dhe Rezolutën 1244, ato me të cilat ende qëndrojmë”, ka thënë Daçiq.