Ja autori i vrasjes së efektivit të FNSH-së sot në Torovicë (FOTO)

David Qosja, 27 vjeçari nga Torovica e Lezhës që ngriti në këmbë Policinë e Shtetit pasditen e së premtes, jetonte i vetëm prej të paktën 2 vitesh dhe pavarësisht problemeve me shëndetin mendor, ai nuk kishte përbërë kurrë shqetësim për banorët e zonës. 27-vjeçari vuante nga shëndeti mendor prej të paktën tre vitesh, por mësohet se nuk ishte vizituar dhe nuk kishte marrë kurrë mjekime.
Ai jetonte i vetëm në shtëpi, që pas vdekjes së të atit dhe largimit drejt Italisë të së emës.
Banorët e Torovicës thonë se e shihnin rrallë jashtë shtëpisë, por kurrë nuk kishte shfaqur shqetësim për komunitetin.
“Unë e njoh shumë mirë autorin e kësaj ngjarje. Ai nuk ka qenë person problematik, ndonëse prej tre vitesh ishte i sëmurë. Davidi më shumë qëndronte në vetmi dhe nuk dilte nga banesa e tij.Kohët e fundit e kam parë që dilte në fshat, por në asnjë rast nuk ka krijuar konflikte dhe probleme.Ai prej shumë vitesh qëndronte i vetëm, pasi nëna e tij ishte e paralizuar dhe kishte shkuar në Itali tek i biri për të jetuar. Me sa di unë kanë dashur ta marrim dhe Davidin, atje por nuk ka pranuar që të shkonte në Itali. Shpesh herë binte i vëllai në Shqipëri dhe kujdesej për të, por ai nuk pranonte të shkonte as për tu vizituar. Përgjatë 6 orëve kemi përjetuar frikë dhe panik i gjithë fshati, pasi të shtënat me armë nuk kanë pushuar gjatë gjithë kohës”, thotë Ded Çuni, banor i Torovicës.
Arma e llojit automatik mësohet se ka mbetur në banesën e familjes Qosja që prej trazirave të vitit 1997-të.
Ndërkohë pritet që hetimet e mëtejshme të hedhin dritë mbi arsyet që e çuan 27 vjeçarin drejt aktit kriminal që u përmbyll me vdekjen e një efektivi policie./Ora News/