Kaloi 43 vjet në karrige me rrota për shkak të diagnozës së gabuar
Një burrë portugez, i cili kaloi 43 vjet në një karrige me rrota pas një diagnoze të gabuar, më në fund po mëson të ecë me këmbët e veta. Kur Rufino Borrego ishte 13 vjeç ai u diagnostikua me një sëmundje të pashërueshme në muskuj, në një spital në Lisbonë.
Pas kësaj ai përdori një karrige për të lëvizur për më tepër se 4 dekada, derisa një neurolog kuptoi në vitin 2010, se në fakt ai vuante nga një sëmundje tjetër që shkaktonte dobësi në muskuj.
Sëmundja e rrallë mund të kurohet thjesht duke marrë medikamente astme dhe vetëm një vit pas diagnozës së re, Borrego ishte i aftë të ecte për herë të parë me këmbët e veta në kafenenë e zakonshme të lagjes.
“Menduam se ishte një mrekulli”, tha Manuel Melao, pronari i kafenesë në jug të Portugalisë.
Tashmë në moshën 61-vjeçare më në fund mund të bëjë një jetë normale, me vetëm 2 seanca fizioterapie në vit.
26 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)