Komisioni ad-hok/ AZIRI: U definua rregullorja e punës

210
Komisioni ad-hok/ AZIRI: U definua rregullorja e punës

Pesë anëtarët e Komisioni Ad-hok për monitorimin e mediave me konsensus kanë definuar rregulloren e punës.

Anëtari i këtij trupi, Lulzim Aziri, tha se është përcaktuar se për të qenë një mbledhje valide në të duhet të marrin pjesë më së paku tre anëtarë, ndërsa vendimet nuk do të sillen me shumicë të thjeshtë, por me më së paku tre vota “pro”.

Me këtë trup do të ketë mundësi të udhëheq secili anëtar, pasi që çdo anëtar do të kryesojë me komisionin për një javë.

“Ishin çështje delikate, sepse përcaktonin se cila do të jetë ajo shumica që do të përcakton ndonjë vendim, si do të jetë mënyra e udhëheqjes së ati trupi të padefinuar. Kishim të bëjmë me 5 laikë që nuk kuptohemi nga çështjet juridike, por me përkrahje të ndryshme, me vullnet të anëtarëve arritëm të sjellim një rregullore të tillë siç është nga 8, 9 pikë, por megjithatë përcakton mënyrën e punës se si do të punojë Komisioni. Do të mundohemi që të imponojmë atë frymën pozitive të konsensusit. Për t’u ruajtur nga bllokada të ndryshme të Komisionit, kemi përcaktuar minimumin e anëtarëve të Komisionit në një mbledhje, pra çdo vendim i Komisionit do të jetë valid nëse në atë mbledhje marrin pjesë pesë, përkatësisht tre anëtarë të Komisionit të cilët duhet të votojnë unanimisht, pra votimi të jetë unanim dhe i njëjti do të jetë valid”, deklaroi anëtari i Komisionit, Lulzim Aziri, njofton RTVM2.

Ditë më parë, Komisioni i përkohshëm për monitorimin e mediave propozoi sanksionin e parë. Komisioni Ad-hok ka njoftuar Agjencinë e mediave për shkelje ligjore të bërë nga TVM1 me emetimin e reklamave të financuara nga buxheti i Republikës së Maqedonisë.

Shkelja është bërë në periudhën prej 2 deri në 5 shtator 2016. Meqë shkelja është bërë për herë të parë, Gjykata Administrative duhet të vendosë për masën e sanksionimit, ose t’i tërheqë vërejtjen medias.

Comments