Kreu i Eco Guerillës-NUK KA PËRZËNË ASNJË PERSON

Shkruan Arianit Xhaferi

Nuk ju kam manipuluar Urim, jeni treguar boll të mençur që keni dalë për të mbrojtur veten
Qyteti jonë vazhdon të ngulfatet nga helmi, dhe me këtë garniturë politike që kemi, të cilës për fat të keq shumë pak kanë guxim t’i ngriten përballë, do vazhdojmë të ngulfatemi nga helmi dhe një kohë të gjatë.
Qëllimi i gjithë neve si bashkëthemelues ka qenë të bëjmë diçka kundër ndotjes, dhe gjatë rrugës shumë nga ne atë kemi bërë, disa kanë parë interesa të tjera – por ju i nderuar Urim keni qenë shumë larg nesh për të parë se kush çfarë ka bërë në këtë mes. Sigurisht që angazhimi i çdonjërit ka qenë i rëndësishëm deri në atë moment që ata kanë vendosur që të fokusohen më shumë në diçka tjetër, apo të humbin gjithë interesimin në një organizatë e cila gjithë neve na kushtonte shumë pare, kujt më shumë e kujt më pak. Por kjo nuk ka më rëndësi. Ka në atë listë njerëz perfektë për të cilët vazhdoj të kem shumë respekt, pavarësisht asaj se çfarë ata mund (të jenë bindur nga dikush) të mendojnë për mua, por ka dhe shumë të tjerë në atë listë që s’i ke përmendur ti – janë ata që kanë vazhduar pa u lodhur fare të gjejnë kohë nga puna e tyre, nga jeta e tyre që të kontribojnë edhe më shumë për këtë kauzë, sepse disa zgjodhën kafenetë në vend të mbledhjeve tona, zgjodhën të na injorojnë e të na bojktojnë e më pas të kthehen të kërkojnë përgjegjësi pa ditur se çfarë është bërë dhe si është bërë.
Dhe po, është e vërtetë se ju dhe familja juaj keni qenë aty gjithë kohën, bashkë me fëmijën që mbante pankartën “NËNË DUA AJËR” se ka qenë dhe është gjëja e duhur për tu bërë, në një moment kur të zgjedhurit tanë na kanë detyruar të marrim rrugët në atë acar. Shumë të vërteta ke shkruar, dhe është shumë mirë që po i përkujton – për të gjithë ne.
Ajo që nuk arrij të kuptoj është se si mundet që shumë njerëz të ngritur, që kanë vlera intelektuale për ndonjë arsye pritën më shumë se një javë të më sulmojnë për pjesëmarrjen në një TRIBINË PUBLIKE me temë “Cilat janë hapat më urgjente që duhen ndërmarrë në gjashtë mujorin e parë të një qeverie të re” të organizuar nga LSDM në Shkup, tribinë kjo që u ndoq dhe u transmetua nga shumë media shqiptare. Tribina në fjalë është mbajtur më 28 Shtator në Shkup dhe ka qenë në lajme të njëjtën ditë por dikujt ju deshën 9-10 ditë të orkestrojë këto? Apo ju dogji KONCERTI TEK DEPONIA… sidomos këtyre që paguhen nga Komuna për t’ia mbuluar bërllogun mediatik, sidomos personat perfekt që deri dje ankoheshin publikisht në portale se “Teuta Arifi ua ha peshkun” e sot janë bërë vegël e saj (për Ramiun e kam fjalën). Apo ju kujtua tash që afrohet 31 Tetori – dita kur skadon afati që Jugohrom të ketë vënduar filtra, dhe kur afron momenti që qytetarët do shohin se përfaqësuesit e tyre nuk janë në gjendje t’a mbyllin Jugohromin, dhe çfarëdo reagimi që do vijë nga Eco Guerilla të mos ketë impaktin e duhur, dënimin e fajtorëve të ndotjes që s’po i ndalin dot shkaktarët.
(vazhdon)
Rami Mislimi u largua kur Menduh Thaçi tha se ia kishte gjetur mesazhet kundër tij e pro Zijadin Selës – në një kohë që TetovaSot ishte në shërbim të LR-PDSH-së. Selim Ibrahimi nuk është një nga themeluesit, megjithëse kemi patur nderin ta kemi në dy takime në total. Urim Hasipi nuk është shprehur akoma me gojën e tij e me emrin e tij lidhur me këtë gjë. Xhelal Neziri ka më shumë se një vit që na injoron, s’ka ardhur në asnjë takim ku është dashur të vendosen gjëra të rëndësishme, pra ai vet është larguar. Bardhyl Zaimi ka qenë me ne herë pas here, por për fat të keq nuk kemi patur kënaqësinë ta kemi më shpesh mes nesh për arsye të cilat unë nuk dua t’i them këtu. Askënd s’kemi fshirë, askënd s’kemi përzënë. Disa kanë ardhur, disa kanë ikur – do ikim dhe ne tjerët një ditë sepse Eco Guerilla nuk është ndërmarrje private as e Arianitit as e Xhelalit as e askujt tjetër, por është një organizatë që ka ndërtuar veprimtarinë e saj rreth një koncepti, e jo rreth një, dy a tre personave.
Dhe meqë po më kërkon llogari, edhe pse s’ta kam borxh, por për respektin që kam do të jap llogari, por më pas do bëhesh burrë dhe do na e bësh gjithë neve (edhe vetes tënde) një shërbim. Ja ku ta them publikisht:
ASKUSH NUK ËSHTË MANIPULUAR përmes protestave të ajrit sepse personalisht nuk kam arritur asnjë qëllim tjetër që vetëm unë e di. Unë e kam thënë edhe publikisht – shumë herë – se kam pasur oferta për t’ju bashkuar edhe BDI-së, edhe PDSH-së, edhe LR-PDSH-së, edhe BESA-s, dhe po – kam të drejtë të zgjedh cilëndo që dua, por shumë herë e kam thënë hapur se nuk më interesojnë partitë politike. Ndërkohë që si organizatë ne shqetësimin tonë ia themi kujtdoqoftë, edhe Ministrit të Mjedisit z. Bashkim Ahmeti (14 Shtator 2016), edhe LSDM-së (28 Shtator 2016), edhe LR-PDSH-së, edhe BESA-s, edhe BDI-së (po ia mbajti ta dëgjojë) edhe VMRO-së, njëjtë siç ia themi Ambasadës Amerikane, State Departmentit, Ambasadës Britanike dhe Foreign Officit, Ambasadës Gjermane, Ambasadës Zvicerane, Ambasadës Suedeze, Ambasadës Franceze, OSBE-së, Bashkimit Evropjan – dhe kujtdo personi tjetër fizik apo juridik që mund të kërkojë të dëgjojë se cilat janë shqetësimet kryesore për mjedisin, çfarë duhet bërë për t’i menjanuar ato dhe kush është fajtor që gjendja s’po përmirësohet. Nuk kemi pranuar të takohemi pas dyerve të mbyllura – me asnjë. Vetëm PUBLIKISHT, para syve të botës. Atë që e themi, me shumë bindje dhe siguri qëndrojmë pas saj dhe nuk kemi nevojë të fshehim asgjë.
Tani – më thuaj i nderuar Urim, kur i ke kërkuar llogari deputetit tënd të cilit i ke dhënë votën. Kur i ke thënë atij/asaj se çfarë po ndodh me ajrin tim? Kur i ke kërkuar llogari kryetares së komunës ku ti punon se pse nuk po largohet deponia nga qyteti, por vazhdon të na helmojë djegia e mbeturinave, pse qyteti jonë nuk ka transport publik, pse nuk ka garazhe në kate, pse nuk ka ujë të pijshëm, pse po uzurpohet gjelbërimi, pse nuk publikohen raportet financiare. Po kryetarit të komunës ku ti banon, a e ke pyetur pse ka shtruar asfaltin ke arat e tij? Po ujin, pse ia shiti TEC-eve dhe la tre fshatra të konsumojnë ujë të ndotur? A e ke pyetur kryetarin tënd si t’i harxhon paratë e buxhetit? Kjo – i nderuar Urim – është llogaria që duhet t’i kërkosh, atyre që ju jep votën, dhe që përmes tatimit tënd prej fukarai (si shumica nga ne) ju jep dhe rrogë.
Për fund do të them dhe unë një gjë. Mua nuk më duhen as 10,000 as 100,000 e as 1,000,000 protestuesë, sepse unë nuk garoj për një post udhëheqës e do më duhen ata njerëz të më përkrahin. Njerëzit që dalin në shesh nuk dalin për mua, për të më përkrahur mua – por dalin se janë të pakënaqur nga trajtimi që po i bënë ai grup njerëzish të cilëve duhet t’ju kërkosh llogari e përgjegjësi.
Një gjë duhet ta dinë të gjithë, DEPONIA edhe 3 vite e gjysëm pas ardhjes së administratës së re komunale vazhdon të jetë aty. Jugohromi pas 31 Tetorit nuk ka të drejtë të punojë. Çdo sulm që sot më bëhet mua, dhe përmes meje Eco Guerillës është tentim për të çuar ujë në mulli të oligarkëve rusë të Jugohromit, dhe profiterëve që bëjnë milionat duke na i helmuar familjet tona.
Me ose pa Arianitin, me ose pa Eco Guerillën – DEPONIA duhet të largohet nga qyteti, JUGOHROM duhet t’i vëndojë filtrat ose të mbyllet, transporti publik duhet të organizohet, hapësirat e gjelbërta të uzurpuara duhet të çlirohen, parkingjet dhe garazhet duhet të ndërtohen.